English

Countryman-Haxhinasto: Shqipëria kontribuese e paqes në rajon

Tiranë, 21 tetor, NOA – Pas këshillës ndaj palëve, mazhorancës dhe opozitës, për të gjetur kompromis për zgjidhjen e krizës politike në vend, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman është pritur sot edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

Gjatë takimit, zyrtari i DASH-it, Countryman evidentoi marrëdhëniet shumë të mira, që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në të gjitha fushat, si dhe vlerësoi rolin, që Shqipëria luan prej vitesh si kontribuuese e paqes dhe e sigurisë në rajon e më gjerë, si anëtare e NATO-s dhe pjesëmarrëse e Aleancës Antiterror.

Ndërsa, shefi i diplomacisë shqiptare, nënvizoi faktin se Shtetet e Bashkuara janë aleati strategjik i Shqipërisë.

Ministri Haxhinasto e siguroi Zëvëndës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Countryman për vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur në rrugën e konkretizimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në fushën ekonomike.

Dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se sfida për njohje të reja për pavarësinë e Kosovës është një proces në vazhdim dhe që nga të dy vendet do të këtë një angazhim në rritje.

Në takim, Ministri Haxhinasto dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i DASH-it, Thomas Countryman ndanë mendime të njëjta për situatën dhe zhvillimet në Ballkan, përfshirë në këtë kontekst edhe nisjen e negociatave mes Serbisë e Kosovës, si dhe përpjekjet për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.

Gjatë takimit dy bashkëbiseduesit folën edhe për zhvillimet dhe situatën politike në vend, për të cilën më herët po sot zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman në një konferencë për shtyp deklaroi se zgjidhjen e ngërçit politik në vend duhet ata zgjidhin vetë palët kundërshtare, duke arritur një kompromis, për të cilin ai besoi se do të mbërrihet.

Countryman u takua dje edhe me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërsa bisedat me ta ai i zbardhi vetë sot për mediat në një konferencë të posaçme për shtyp që u mbajt në ambasadën e SHBA-ve në kryeqytet.

mit/NOA
KOMENTE