Tiranë, 21 tetor, NOA – “Ngërci politik nuk i shërben popullit shqiptar dhe palët duhet të gjejnë një kompromis për ta zgjidhur krizën politike”.
Kjo është porosia që Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Thomas Countryman i ka dhënë shefit të mazhorancës Sali Berisha dhe shefit të opozitës, Edi Rama në takimet që pati dje me ta gjatë vizitës në Tiranë.
Në një konferencë të posaçme për shtyp të mbajtur sot në Ambasadën Amerikane, zyrtari i DASH-it bëri me dije se ka biseduar dhe dëgjuar të dyja palët për krizën politike në vend.
Countryman theksoi se nuk ka mbërritur në Tiranë për të sjellë ndonjë plan të SHBA-ve për zgjidhjen e krizës politike, për mënyrën se si mund t’i jepet fund asaj. “Palët duhet të kapërcejnë pengesat aktuale në mënyrë që të kemi zgjidhje të pakundërshtuara në të ardhmen”, nënvizoi zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit.
Ai tha në këtë suazë se i ka këshilluar si kryeministrin si kreun e opozitës që të arrijnë një kompromis, pasi kjo nuk është një lojë ku patjetër dikush duhet të humbë dhe dikush tjetër duhet të fitojë, duke shprehur bindjes se do të gjendej një zgjidhje për krizën.
Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën, Thomas Countryman u shpreh edhe për ligjin për Gjykatën Administrative, mosmiratimi i të cilit në kuvend në seancën e 30 shtatorit, bëri që të ktheheshin mbrapsht financimet e SHBA-ve për Gjykatat Administrative.
“Shqipëria humbi një shans. Ajo që populli kërkon është funksionimi i policisë, gjykatave dhe agjencive ligjzbatuese, deklaroi për mediat zoti Countryman.
I pyetur për projektligjin për SHISH-in, zyrtari i DASH-it tha se ndryshimet në këtë ligj duhet të bëhen duhet të bëhen në mënyrë të kujdesshme dhe në përputhje me kriteret dhe udhëzimet e NATO-s”.
mit/NOA