English

Forumi i Avokatëve: Në Shqipëri, cenohen të drejtat e avokatëve

Tiranë, 21 tetor, NOA - Kryesia e Forumit të Avokatëve Për Drejtësi, përmes një deklarate për shtyp, shprehu sot shqetësimin e saj për praktikat të cilat i cilësoi si të gabuara, arbitrare, diskriminuese, antikushtetuese dhe në kundërshtim me ligje të tjera organike, gjatë arrestimit të djeshëm të avokatit Hysni Beti.

“Metoda të tilla janë krijuar dhe vazhdojnë të zbatohen prej segmenteve të caktuara të pushtetit ekzekutiv ndaj institucionit të mbrojtjes ligjore në Republikën e Shqipërisë”, citon deklarata, duke shtuar se institucioni i mbrojtjes ligjore në vend, që përbëhet dhe përfaqësohet prej avokatëve të licencuar, në mënyrë të vazhdueshme ka qenë dhe mbetet i sulmuar padrejtësisht, i diskriminuar, i mospërfillur dhe i përndjekur në mënyrë abuzive, sa herë del në mbrojtje të interesave të ligjshme të qytetarëve që u nëpërkëmben të drejtat e ligjshme prej disa segmenteve të pushtetit ekzekutiv, të cilët kërkojnë t’i përligjin dhe t’i fshehin arbitraritetet e tyre përmes mbylljes së gojës dhe të syve të avokatëve të këtij vendi.

Duke përmendur më pas, nenin “1” të ligjit “Për Profesionin e Avokatit”, ku citohet se avokatia në Shqipëri është profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar.

“Organet e pushtetit ekzekutiv, apo te cilitdo pushtet tjetër, duhet të përgjegjësohen me frymën e ligjit se për derisa veprimtaria e avokatisë është profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar, për deri sa mënyra e shpërblimit të avokatit rregullohet sikurse e përcakton ligji me marrëveshje ndërmjet tij dhe palës së mbrojtur ose të përfaqësuar prej tij, çdo lloj provokimi, inskenimi, përgjimi apo nxitje të “klientëve” të ndryshëm për interesat meskine të segmenteve të caktuara në organet e punëve të brendshme ose prokurorisë, janë antiligjore, të papranueshme dhe vrasëse për institucionin e mbrojtjes ligjore”, citon më tej deklarata.

Duke përfunduar se avokatët herë pas here, përmes deklaratave, opinioneve, shkrimeve, informacioneve dhe denoncimeve kanë shprehur shqetësimet e tyre për nëpërkëmbjen e hapur që u bëhet atyre dhe institucionit që ata përfaqësojnë prej organeve të policisë, organit të akuzës, gjykatave dhe deri te pushteti legjislativ, i cili miraton ligjin e avokatisë pa marrë së paku formalisht më parë mendimin dhe vlerësimin e avokatëve për ligjin e tyre që do të miratohet.

“Këto shqetësime i kemi paraqitur edhe para përfaqësive diplomatike të faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar në Tiranë. Për fatin e keq reagimet dhe reflektimet për të ndalur përbuzjet, diskriminimet, dhunimet dhe nëpërkëmbjet e këtij institucioni kanë munguar”, përfundon deklarata e Forumit të Avokatëve Për Drejtësi.

n.e/NOA

KOMENTE