English

Idrizi: Çështja kombëtare dhe ajo çame, kusht për votën e PDU

Vlorë, 21 tetor, NOA – Partia për Drejtësi dhe Unitet në përvjetorin e parë të krijimit të saj si forcë politike ka nisur turin Vlorë, ku kanë prezantuar arritjet e PDU-së dhe sukseset përgjatë vitit të parë të themelimit të saj.

Në aktivitetin ku merrnin pjesë simpatizantë të PDU-së në Pallatin e Kulturës së qytetit, u prezantua materiali filmik me pjesën kryesore të aktiviteteve të partisë përgjatë një viti. Kryetari i PDU-së, z. Shpëtim Idrizi deklaroi se “PDU ishte një mjet i suksesshëm që mungonte nga arena kombëtare shqiptare, në mënyrë që çështja kombëtare të ecë më shpejt”.

Idrizi siguroi se votat e PDU-së në kuvend do të kushtëzohen gjithnjë me çështjen kombëtare dhe çështjen çame.

“Ne kemi dy deputetë në parlament, që u janë të nevojshëm të gjithë partive, por ne nuk e japim votën tonë kot. Vota jonë është mandati juaj për zgjidhjen e çështjes çame. Dhe ne nuk do të bashkojmë votat me askënd, që nuk tenton të zgjidhë çështjen çame dhe çështjen kombëtare. Vota jonë jepet vetëm në ato çështje, që kanë të brendësuar interesin kombëtar”, theksoi kreu i PDU-së.

Ai nënvizoi se “Partitë e mëdha shohin tek ne një pasqyrë, dhe nëpërmjet nesh kuptojnë se si kanë harruar interesat e kombit”.

Në këtë aktivitet u prezantua edhe koordinatori i ri i rinisë së PDU-së, Jetmir Salaj.

Gjatë fjalës së tij Salaj deklaroi se “Ka ardhur koha që çdo i ri, çam dhe joçam të bashkohen në emër të një kauze të madhe, Çamërisë, Kosovës dhe gjithë çështjes kombëtare”.

Dje u përurua edhe selia e re e PDU-së në qytetin e Vlorës.

Turi “Një vit PDU” do të vijojë gjatë ditëve të ardhshme në të gjithë vendin duke nisur nga Saranda e deri në Kukës.

mit/NOA
KOMENTE