English

Ramë Manaj: Nuk ka rrethana për zgjedhje të jashtëzakonshme

Prishtinë, 21 tetor, NOA - Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm në LDK, Ramë Manaj, i tha BBC-së se nuk janë krijuar ende rrethanat për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend.

Ai tha se duhet fillimisht të respektohen të gjitha procedurat kushtetuese dhe ligjore si dhe në çfarëdo rrethane, sipas tij, duhet të zhvillohet një proces i mirëfilltë zgjedhor që do t’i sillte vendit institucione të qëndrueshme.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, që u tërhoq nga qeveria aktuale pas vendimit të kryesisë së LDK-së për prishjen e koalicionit qeverisës, tha për BBC-në se partia e tij i përmbahet datës së përcaktuar për zgjedhjet e parakohshme më 13 shkurt të vitit të ardhshëm deri në një consensus mes forcave politike për ndryshimin e kësaj date.

LDK mori vendimin për të dalë nga koalicioni qeverisës me arsyetimin se partneri i saj Partia Demokratike e kishte injoruar veçanërisht me rastin e votimit të strategjisë për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës. Manaj tha se për LDK-në çështja e PTK-së nuk ka përfunduar ende.

Z.Manaj, a ka hyrë Kosova në rrugën e pashmangshme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme?

Tashmë është caktuar data për zgjedhjet e parakohshme dhe ne i përmbahemi kësaj date, e respektojmë dhe do të jemi të gatshëm që të marrim pjesë në zgjedhjet e përcaktuara për t’u mbajtur për datën 13 shkurt. Në qoftë se në ndërkohë krijohen premisat, respektivisht parakushtet për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme ne e kemi kërkuar dhe edhe më tutje kërkojmë që të respektohet Kushtetuta, procedurat ligjore dhe zgjidhjet që i ofron Kushtetuta në të gjitha situatat e krijuara. Deri tani nuk ka kushte kushtetuese, nuk janë arritur premisat kushtetuese, pra ato kushte që na çojnë domosdoshmërisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Po përse nuk kemi arritur deri tek zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ju jeni tërhequr nga koalicioni duke krijuar krizë institucionale?

Kushtetuta parasheh në mënyrë eksplicite rastet kur shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Psh. rastet kur Parlamenti vetë-shpërbëhet, kur Parlamenti dështon të zgjedh presidentin në periudhën prej 60 ditësh, kur i shprehet mosbesim qeverisë, përkatësisht kur kryeministri jep dorëheqje dhe bie e tërë qeveria ose kur mandatari nuk arrin që në periudhën prej dy muajsh ta formojë qeverinë. Qeveria ekziston, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat. Pra ka zgjidhje të tjera para se të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë nëse ato do të krijohen ne do të sillemi dhe do të respektojmë situate e krijuara.

Por a i leverdis LDK-së të hyjë në zgjedhje të jashtëzakonshme në kohën kur ajo po i mban zgjedhjet e saj të brendshme?

Jo vetëm LDK-së, e cila po zhvillon aktivitet të brendshëm zgjedhor, por asnjë partie politike, asnjë subjekti politik nuk i konvenon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në periudhën prej 30 deri në 45 ditë. Madje as KQZ-ja nuk do të jetë e përgatitur për një proces të mirëfilltë zgjedhor. Por ne do të sillemi konform situatave të krijuara duke respektuar deçivisht zgjidhjet që jep Kushtetuta.

Nëse askujt nuk i konvenon kjo situatë atëherë pse e krijuat?

Ne nuk e kemi krijuar. Është krejt normale që kur hyhet në partneritet vjen një moment kur edhe mund të dilet prej tij. Por dalja e LDK-së nga partneriteti dhe koalicioni qeveritar nuk ka krijuar krizë të tillë për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Po e përsëris: ka mundësi të plotësimeve dhe të bëhet gjithçka që duhet bërë në mënyrë që të shkohet në zgjedhjet e përcaktuara për 13 shkurt.

Nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme mund të flitet për rikthim të projekteve të diskutueshme që kanë kaluar në Kuvend të Kosovës?

Sa i përket datës së zgjedhjeve ka mundësi që, nëse arrihet konsensus dhe krijohen premisat kushtetuese atëherë mund të caktohet datë tjetër për zgjedhje të jashtëzakonshme. Vendimet që kanë të bëjnë më zgjedhjet mund të ndryshohen ndërsa projektet që njëherë janë vendosur nuk ka nevojë të shqyrtohen sërish.

Pra, për juve ka përfunduar çështja e Postë-Telekomit të Kosovës, për të cilin keni patur kritika dhe keni dalë nga koalicioni?

Për ne çështja e PTK-së nuk është e përfunduar. Çështja e PTK-së duhet të marrë vendimin meritor nga deputetët e Parlamentit të Kosovës.

Dhe edhe njëherë i kthehemi çështjes kryesore Manaj. LDK-ja nuk e do asnjë datë tjetër për zgjedhje përveç asaj të 13 shkurtit të përcaktuar nga ushtruesi i detyrës së presidentit?

Nuk është çështja vetëm e datës. Ne dëshirojmë që në njërën anë të respektohen procedurat kushtetuese-ligjore dhe në anën tjetër të bëhet një proces i mirëfilltë zgjedhor i cili i sjell vendit institucione të qëndrueshme dhe jo zgjidhje “sa për sy e faqe”, siç thotë populli, sa për të plotësuar por duam që institucionet të kenë legjitimitetin dhe legalitetin e tyre të plotë për të qenë të qëndrueshme dhe funksionale.

BBC

KOMENTE