English

Basha: Vizat, u desh vullnet i hekurt politik

Tiranë, 22 tetor, NOA – “Lëvizje e lirë, lëvizje pa pengesa, lëvizje me dinjitet, por lëvizje e përgjegjshme. Ky është thelbi i lëvizjes së lirë për shqiptarët”, - deklaroi sot ministri i Brendshëm Lulzim Basha gjatë një takimi në Kukës me studentët e filialit të universitetit të Tiranës në këtë qytet.

Duke kërkuar edhe bashkëpunimin e studentëve për informimin e gjerë të qytetarëve dhe ndërgjegjësimin e tyre për të trajtuar me përgjegjshmëri të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen, Basha e cilësoi shumë të rëndësishëm sqarimin se lëvizja e lirë nuk nënkupton qëndrim të përhershëm apo të përkohshëm në zonën Shengen.

“Si çdo qytetar europian, ne kemi të drejtë të lëvizim të lirë dhe pa pengesa në hapësirën Shengen. Si çdo qytetar europian, ne nuk kemi të drejtë të qëndrojmë, pra të jemi me qëndrim të përhershëm apo të përkohshëm në një nga vendet e hapësirës Shengen, sepse për këto vlejnë rregulla të tjera”, - tha ministri Basha.

Pasi sqaroi se për të lëvizur lirisht në hapësirën Shengen mjafton të jesh i pajisur me pasaportë biometrike dhe nuk ka asnjë kufizim financiar, Basha këshilloi që çdo qytetar nëse i kërkohet duhet të bashkëpunojë me autoritetet policore, sepse kjo është një praktikë që ndiqet edhe nga vendi ynë.

Ministri Basha u shpreh para studentëve në Kukës se është dashur një punë e jashtëzakonshme dhe një vullnet i hekurt politik për të kapërcyer atë prapambetje të thellë të vendit krahasuar me vendet e tjera të rajonit përsa u takon standardeve që mundësuan lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Në fund, ministri Basha iu përgjigj pyetjeve të studentëve mbi rregullat e lëvizjes së lirë, penalitetet në rast të shkeljes së tyre, ecurinë e fushatës së informimit të qytetarëve në këtë drejtim etj.

n.e/NOA

KOMENTE