English

Edi Rama dhe gruaja e re Linda, rrëfehen publikisht për njëri-tjetrin

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, rrëfehet për herë të parë për gruan e tij të re Linda e cila pas mbiemrit të vajzërisë Basha dhe atij të martesës së parë, Xhillari, tani e tutje mban mbiemrin e kryebashkiakut të Tiranës, institucion ku edhe para pak ditësh u krye martesa zyrtare.

Ceremonia private e martesës pritet këtë të diel, jozyrtarisht thuhet se do të bëhet te lokali “Xibraku” ku shpesh Rama bën mbledhjet e socialistëve, por ka gjasa që lokali të jetë një tjetër, ende i pakonfirmuar.

Duke folur në Top Channel, Edi Rama ka bërë shfaqjen e parë publike me zonjën Linda Basha, ku edhe ajo ishte e pranishme, por karakteri i saj diskret dominoi pjesën më të madhe të përgjigjeve që ajo u dha pyetjeve të gazetarit.

Flet Linda

Cila është Linda Basha, femra që do të jetë në krah të kryeministrit potencial të Shqipërisë ?

Linda Basha është 46 vjeçarja që rrjedh nga një familje tiranase. Eshtë diplomuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës dhe prej vitin 1996 mban titullin Doktore e Shkencave Ekonomike. Është një emër i njohur në sferën akademike dhe në administratën publike. Prej vitesh fusha e interesIT të saj publik ka qenë e mbetet shoqëria civile shqiptare ku ajo është angazhuar vazhdimisht në mbrojtje të të drejtave të njeriut, veçanërisht të femijeve, grave dhe minoriteteve. Nga martesa e saj e parë zonja Basha ka një vajzë 20 vjeçe e, cila studion për arkitekturë në Zvicër. Linda tregon se emrin e Edi Ramës e kishte dëgjuar që para viteve 90 si personazh i ngjarjeve në Akademinë e Arteve. Publicistika e Ramës ishte një tjetër element që e tërhiqte zonjën Basha, atëherë të sapodiplomuar. Ndërsa tregon se takimet e para me Edi Ramën kanë nisur kur ky i fundit mori detyrën e kryebashkiakut dhe filloi të ndryshonte Tiranën.

Si do të influencojë ajo jetën e liderit të opozitës?

Pritshmëria e opinionit publik është shumë pozitive. Shikohet si një femër e cila do të shërbejë si një këshilltare dhe stabilizatore e aksionit e mendimit politik të Edi Ramës. Prania e saj në jetën e Ramës pritet të kuadratojë jetën e tij dhe të krijojë premisat që Rama të jetë një shtetar i mirë në të ardhmen. Të qenit i martuar i jep Ramës një lloj avantazhi për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke qenë se paraqitet si një lider me i kompletuar, por në të njëjtën kohë i heq shansin mazhorancës për të stigmatizuar jetën e tij private. Por përgjigjja që zonja Basha dha ndoshta rrëzoi pritshmëritë e të gjithë neve. “Nuk do luaj rol në politikë, absolutisht jo. Mendoj që do jem një mbështetje shpirtërore e Edi Ramës. Unë besoj që të jesh sot një grua që merresh me politikë është sakrificë tejet e madhe, të jesh grua pranë politikës për shkak të bashkëshortit është një detyrë jo e lehtë, tejet e vështirë. Ajo që unë do të bëj është se do të jem mbështetëse e Edi Ramës. Mendoj që në një familje një duhet të jetë politikan”, tha zonja Linda Basha.

Flet dhe Rama

Edhe zoti Rama dha pothuajse të njëjtën përgjigje për rolin e bashkëshortes së tij të ardhshme në aktivitetin e tij politik si kryetar i PS dhe kreu i Bashkisë së Tiranës.

“Linda është gjysma ime më e mirë. Bisedojmë për shumë çështje dhe dëgjoj me vëmendje çka Linda thotë dhe nuk ka dyshim që Linda është shumë e dhënë pas punëve të saj, pas kërkimeve të saj dhe të jetës universitare dhe jam i bindur që duke qenë e distancuar nga arena e betejës së përditshme politike do të jetë një mbështetje shumë e mirë dhe një pikë referimi për të mbetur në ekuilibrin e domosdoshmërisë për të marrë vendime të atypëratyshme”, tha zoti Rama.

Lideri socialist dhe zonja Basha e përjashtuan mundësinë që kjo e fundit të jetë anëtare e PS, duke theksuar njëzëri se ky nuk është një problem që shtrohet në familjen tonë dhe duke pohuar se atributet për t’u marrë me politikë në familje i ka vetëm zoti Rama.

Një tjetër pyetje e cila përbënte interes për opinionin publik ishte ajo që kishte të bënte me reagimin e djalit të Edi Ramës dhe vajzës së Linda Bashës për vendimin e prindërve të tyre.

Të dy bashkëshortët e ardhshëm vunë në dukje vlerat e fëmijëve të tyre dhe treguan pozitivitetin me të cilin ata e kishin mirëpritur këtë vendim.

Çifti Rama ka treguar disa detaje rreth ceremonisë së dasmës e cila do të mbahet ditën e diel në orën 16 në periferi të Tiranës. Të dy e kanë quajtur një ceremoni të thjeshtë e tradicionale, por që natyrisht nuk do të mungojnë elementet shik. Së tepërmi vlerësuan faktin që kjo ceremoni do t’i mbajë afër me miq e të afërm për të trokitur gotat dhe ndarë së bashku këtë moment.

Krahas të tjerash zonja Basha pohoi se do të marrë mbiemrin e bashkëshortit të saj, duke mos devijuar kështu nga tradita shqiptare.

>> Berisha, ja urimi për Ramën

>> Dasma, fundjavën që vjen

>> PS konfirmon: Kryetari po martohet

>> Rama: Protestat, mos më pyesni tani

KOMENTE