Vlorë, 23 Tetor 2010 NOA Update – Shtetasi grek që i mori jetën gruas së tij me të cilën ishte ndarë para pak kohësh, u kap mbrëmjen e së Premtes në Vlorë nga policia shqiptare ndërsa synonte të kalonte nga porti detar për në Itali me destinacion final arratisjen në Gjermani.
Anastasios Karavidas, 44 vjeç, i cili akuzohet se rreth orës 13.00, të ditës së sotme ka vrarë në ishullin e Korfuzit, Greqi, ish bashkëshorten e tij.
Autoritetet Policore Greke rreth orës 17.00 të ditës së Premte, kanë informuar Drejtorinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Policinë e Shtetit, duke kërkuar bashkëpunim për kapjen e këtij shtetasi.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se menjëherë nga strukturat e Policisë së Shtetit janë kryer të gjitha verifikimet e duhura, nga ku rezultoi se ky shtetas rreth orës 15.30’ ka hyrë në territorin shqiptar përmes Pikës së Kalimit të Qafë Botës me një mjet autoveturë me targë gjermane, me qëllim për t’u larguar në drejtim të Gjermanisë, ku dhe jetonte.
Në sajë të bashkëpunimit të suksesshëm dhe shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit ndërmjet Policisë Shqiptare dhe asaj Greke, u bë e mundur kapja e shtetasit grek, nga strukturat e Policisë së Shtetit
Në vijim të veprimeve të kryera u morën masa për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e tij, duke organizuar shërbimet policore:
- të Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Fier,
- shërbimet e Drejtorive Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit Gjirokastër dhe Vlorë,
- si dhe Njësitë Rajonale të Policisë Rrugore Fier e Vlorë.
Anastasios Karavidas u kap rreth orës 18.50’ në qytetin e Vlorës, nga strukturat policore të kësaj Drejtorie. Policia tha zyrtarisht se për këtë shtetas do të kryhen procedurat e ekstradimit në drejtim të shtetit Grek, ku do të përballet me drejtësinë për krimin për të cilin akuzohet.
e.r/NOA