English

Inaugurohet nesër “Shtëpia e Artistit”, projekt i Gjergj Lekës

Durrës, 22 tetor, NOA – Ditën e nesërme, përballe me Malin e Robit, inaugurohet “Shtëpia e Artistit”, një vend ku do të promovohet arti dhe artistët e rinj, një sipërmarrje e ideuar nga kantautori i mirënjohur, Gjergj Leka.

Ideja rreth saj u hodh një vit më parë, gjithmonë në plazhin e Golemit, ku në kuadrin e rivitalizimit të strukturave turistike në bregdetin shqiptar, u krijua struktura e përgatitjes artistike si dhe të aktivitetit koncertal.

Eksperimenti i parë u bë tek “Hëna Resort” me Festivalin e Verës, si dhe me një sërë aktivitetesh anësore, të cilat u pritën shumë mirë nga të gjithë pushuesit.

Problemi kryesor i këtyre siteve turistike, mbetet mosshfrytëzimi i të gjitha ambjenteve dhe strukturave turistike gjatë gjithë vitit, pikërisht se sezoni turistik zgjat vetëm dy muaj, korrik dhe gusht.

Për këtë arsye, grupi konceptues i këtij projekti mendoi të hapë një strukturë multi-funksionale që e quajtën “Shtëpia e Artistit”.

Ajo do të përfshijë një studio regjistrimi dhe prodhimi muzikor; zyrë manaxhimi dhe sekretari artistike; video-klipe; info-point turistik; sallë baleti; kurse të kantos dhe teknikës moderne; kompozime dhe orkestrime; prodhime televizive; prodhime diskografike; qendër relaksi; restorant me piano bar dhe hotel.

n.e/NOA

KOMENTE