English

Ish-Piramida, Parlamenti i ri i Shqipërisë

Tiranë, 22 tetor, NOA/ Eglantina Nasi – Atëherë kam qenë vetëm 12 vjeç. Kur kolektivi i punës së nënës sime u nis që pa gdhirë nga qyteti i largët jugor, për të arritur në Tiranë sa më parë. E priste diçka emocionuese: Do të vizitonte Muzeun e ri të udhëheqësit Enver Hoxha!

Ende më vijnë të gjalla në mendje fytyrat e gëzuara të punonjësve që shihnin dhe preknin me kureshtje gjithçka u shfaq gjigant para tyre në Piramidën e re të ndërtuar në kryeqytetin e vendit.

Të gjithë mbetën të shtangur nga vepra që kishin ndërtuar arkitektët e asaj kohe, shoqëruar me stenda interesante, televizorë që transmetonin sekuenca nga jeta e ish-diktatorit, pamje pa fund të tij dhe një zë misterioz që dukej se kumbonte mbyturazi në gjithë kupolën piramidale.

Në fund, që të gjithë nga një fotografi para simbolit të fundit të diktaturës ...

Pas dy dekadash nga ai udhëtim këndjellës përkrah nënës sime, nuk do ta kisha shkuar në mendje se do të isha pikërisht unë, vizitorja e vogël e muzeut të Madh, ajo që do të shkruaja për shembjen e tij.

Kush mund ta shkonte ndërmend në ato momente se godina monumentale për nder të ish-diktatorit përveç zvetënimit që mori ndër vite, do të shembej përfundimisht, duke i ndërruar tërësisht destinacionin?

Por vetëm ditën e djeshme parlamenti miratoi vendimin për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin në vend të saj, të godinës së re të parlamentit shqiptar.

Vendimi saktëson se “ndërtimi i Kompleksit të ri parlamentar në vendin ku ndodhet Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”, në Tiranë, sipas planvendosjes së parashikuar”.

Projekti është menduar të realizohet me anë të konkursit ndërkombëtar, duke u bërë ftesë studiove më të njohura ndërkombëtare, për projektimin e tij.

Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi dhe akteve të tjera ligjore, do të krijohet edhe një komision shtetëror, ku do të bëjnë pjesë kryetarja e Kuvendit, kryeministri, si edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. I gjithë ky projekt, është menduar që të realizohet në prag të festës së madhe të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur vetëm pak javë më parë përfundoi në fakt rikonstruktimi i sallës së seancave parlamentare.

Unë sot nuk di të them me siguri, edhe sa kohë u duhet njerëzve që të mësohen me faktin se aty ku qëndronin hijerëndë kujtimet e ish-diktatorit, sot do të jetë parlamenti i vendit.

Por tashmë përveç nostalgjisë, aty nuk ka mbetur më asnjë nga ajo kohë e largët, me relike dhe zërin kumbues të ish-diktatorit që rrinte si çekan ndaj çdo vizitori ....

n.e/NOA

KOMENTE