English

KE shqetësime për fluksin e azilkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia

Bruksel, 22 tetor, NOA - Komisioni Evropian ka shprehur shqetësime lidhur me rritjen e kërkesave për azil të qytetarëve të Maqedonisë dhe Serbisë në vendet e BE-së.

Nëpërmjet një letre drejtuar qeverive të të dyja vendeve, është bërë i ditur shqetësimi lidhur me rritjen e vazhdueshëm të numrit të qytetarëve nga këto dy vende, të cilët vitin e kaluar përfituan liberalizimin e vizave.

Letra me të gjitha vërejtjet është nënshkruar nga Komisionerja për Punë të Brendshme, Sesilija Malmstrom, në të cilën kërkohen masa urgjente nga Serbia dhe Maqedonia, për të parandaluar fluksin e qytetarëve të saj që synojnë azilin në vendet e BE.

“Në fund të fundit, BE mund të kërcënohet me vendosjen e sërishme të regjimit të vizave, por shpresojmë se do të mund të arrijmë tek një zgjidhje nëpërmjet bisedimeve dhe punës së përbashkët”, theksohet në reagimin e Komisioneres, Sesilija Malmstrom, bën të ditur radioja shtetërore e Suedisë.

Nga ana tjetër, Qeveria dhe Ministria e Brendshme në Shkup nuk është përgjigjur lidhur me letrën e dërguar nga Komisioni Evropian për shqetësimet për fluksin e azilkërkuesve.

Sekretari shtetëror belg për azil dhe migracion, Melkior Vatle dje në Shkup kërkoi nga autoritetet shtetërore ndërprerjen e fluksit të qytetarëve të Maqedonisë për qëllime të përfitimit të azilit në Belgjikë.

Në Suedi nga fillimi i këtij viti kanë kërkuar azil 534 qytetarë nga Maqedonia. Nga ky numër vetëm tre për qind e këtyre rasteve kanë përfituar të drejtën pozitive.

NOA/INA

KOMENTE