Tiranë, 22 tetor, NOA - Pas përfundimit të procedurave për miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale, me vendim të Këshillit të Ministrave, për zonat masive informale (urbane dhe suburbane) në njësitë kryesore të qeverisjes vendore, procesi i legalizimit ka mbërritur në fazën përfundimtare, atë të plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor.
Në këtë kuadër, pas përditësimit të gjendjes ndërtimore, kualifikimit ligjor dhe hartimit të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe financiar, për periudhën korrik-shtator 2010, në përputhje me Plan-veprimin e miratuar, janë përgatitur dhe shpërndarë formularët e pagesave për 7042 pasuri informale.
Krahas treguesve të legalizimit, progres kanë njohur dhe treguesit e kompensimit të pronarëve të ligjshëm.
ALUIZNI ka përgatitur dokumentacionin dhe është miratuar në Këshillin e Ministrave kompensimi financiar për 2075 ish-pronarë. Fondi financiar i grumbulluar për kompensimin e tyre, deri tani kap vlerën 2 miliardë lekë.
Me qëllim sensibilizimin e poseduesve të pasurive informale, për të cilët janë përllogaritur detyrimet financiare dhe legalizimi i objekteve të tyre është vetëm çështje shlyerje e pagesës, do të nisë botimi në vijim listat emërore të tyre, në bazë qarku dhe njësie të qeverisjes vendore.
Kujtohen këta posedues që pas shlyerjes së detyrimeve, të paraqesin pranë Drejtorive përkatëse të ALUIZNI-t i dokumentacionin financiar që vërteton shlyerjen e pagesave, në mënyrë që të pajisen me lejen e legalizimit të objektit.
Puna për përmbushjen e objektivave ligjore sipas afateve të përcaktuara në plan-veprim, është në vazhdimësi.
n.e/NOA