Prishtinë, 22 tetor, NOA – “Na jep 10 mijë euro, përndryshe të rrëmbyem djalin!”. Ky ka qenë teksti i letrës që 35-vjeçari me inicialet M. Xh. Ka marrë në dorë nga persona të panjohur në një lagje në Prishtinë.
Menjëherë, ai me letrën në dorë, iu është drejtuar forcave policore, të cilët siç konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA, janë informuar se përmbajtja e saj ishte kërcënuese dhe pse përmes saj, kanë kërkuar para cash nga ankuesi në shumën e 10.000 euro, në të kundërtën do t’i rrëmbenin djalin e tij.
Ndërkaq, ankuesi ka bërë me dijeni para forcave policore se vazhdimisht është kërcënuar në mënyra të ndryshme edhe më parë nga të dyshuarit përmes thirrjeve telefonike, nga një numër i fshehur në numrin e tij personal.
Menjëherë, hetuesit e Prishtinës kanë filluar me hetime intensive duke përdorur pista të ndryshme të hetimeve dhe veprimeve në mënyrë që të bëhet identifikimi dhe zbulimi i të dyshuarve.
Dhe deri tani janë mundur të ndalohen 4 të dyshuarit rreth kësaj ngjarje, përkatësisht me inicialet S.S.; Sh.K.; L.V. dhe Xh.B.; që të gjithë nga Prishtina.
Me veprimet e të dyshuarve, hetuesit policorë kanë dyshime të bazuara se është kryer vepra penale “Detyrim në bashkëkryerje”, e sanksionuar nga neni 267 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.
Të gjithë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit me urdhër të prokurorit, ndërkohë që edhe me tutje janë duke vazhduar të gjitha procedurat në lidhje me rastin.
n.e/NOA