Pogradec, 22 tetor, NOA – Duke u gdhirë dita e sotme, gjatë vijës së kufirit në zonën Alarup-Mal i Thatë, dy qytetarë shqiptarë nga qyteti i Pogradecit, përkatësisht Iliaz Xhemollari dhe Artan Tabaku, teksa kishin dalë për gjueti, janë konstatuar nga patrulla e policisë maqedonase.
Forcat e kësaj të fundit, ndërsa i kanë parë dy të lartpërmendurit në vijën e kufirit, kanë ndaluar menjëherë, ndërsa siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e policisë shqiptare, dy të ndaluarit shqiptarë nuk kanë bërë asnjë rezistencë ndërsa me vete mbanin armë gjahu teke.
Aktualisht, mësohet se dy shqiptarët e ndaluar gjenden në qytetin e Ohrit në Maqedoni, në pikën e kalimit kufitar të Shën-Naumit.
Në vendngjarje, menjëherë kanë shkuar patrullat e drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Korçë, të cilat kanë kryer dhe verifikimet përkatëse, ku nga verifikimet e kryera rezulton se nuk ka pasur shkëmbim zjarri.
Ndërkohë, për sqarimin e plotë të rrethanave pasditen e sotme do të zhvillohet një takim mes përfaqësuesve të policisë kufitare shqiptare dhe asaj maqedonase.
n.e/NOA