Tiranë, 22 tetor, NOA – Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, mbetet prurësi i paharrueshëm i një sihariqi që askush tjetër nuk e ka pritur si shqiptarët, liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
Kështu e ka cilësuar kryesocialisti Edi Rama, deputeten e njohur të Parlamentit Evropian, e cila ka qenë reporterja për çështjen e heqjes së vizave me Shqipërinë, gjatë ceremonisë së zhvilluar me rastin e dorëzimit të “Çelësit të Tiranës”, ndërsa ajo gjendet për një vizitë dy-ditore në vendin tonë.
“Edhe ti ke lindur jashtë Evropës së Bashkuar si ne, në një rajon që ka parë shumë të këqija”, i është drejtuar ndër të tjera, Edi Rama, eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon, duke i thënë se sot në këtë vend e presin me të gjitha nderet e një kryetari shteti, njerëzit kanë provuar shumë tmerre nga ajo kohë diktature dhe totalitarizmi.
Ai e ka konsideruar deputeten e Parlamentit Evropian si një mike të të gjithë shqiptarëve dhe mjaft e mikpritur në vendin tonë.
“Jemi shumë të kënaqur që të kemi mes nesh”, i tha Rama më tej Fajonit.
n.e/NOA