Tiranë, 22 tetor, NOA – Kryetari i PS-së tha gjatë fjalës së mbajtur sot në tryezën e partive politike për reformën zgjedhore, se opozita ka dhënë gjithë konsensusin e duhur për Kodin paraardhës zgjedhorë.
Kreu i PS-së ka paraqitur dhe ofertën e re të opozitës për ngritjen e komisionit hetimor dhe më pas nisjen e reformës zgjedhore. Rama u shpreh se 35 deputetë të PS-së, kanë bërë kërkesë për nisjen e hetimit të zgjedhjeve dhe "pa vënien në zbatim të saj nuk mund të nis reforma zgjedhore".
“Kam ardhur me një ofertë të firmosur nga 30 deputetë të PS, kemi bërë një ofertë për të ngritur komisionin parlamentar një orë e më parë, dhe ne pastaj nisim punën për reformën zgjedhore. Media do marrë nga një kopje, kurse kopjen time të vetme, po ja jap problemit tim të vetëm", tha Rama duke i zgjatur kopjen e kërkesës së PS-së kryeministrit Sali Berisha.
Duke folur për zgjedhjet e kaluara, Rama u shpreh se PS-ja e ka dhënë kontributin e saj, si asnjë opozitë tjetër në 20 vite pluralizëm.
“Ne e kemi një eksperiencë të zemrës së hapur. Ne, përsa na përket si përfaqësues të PS-së, duke vënë interesin e vendit, bëm një reformë zgjedhore me konsensus më të gjerë, nëntë muaj para zgjedhjeve”, tha Rama.
Ai ka deklaruar ka qenë mazhoranca ajo që deformoi zgjedhjet. “Falë kontributin tonë Shqipëria pati një shans historik, që u humb jo për përgjegjësitë tona, por për faj të Sali Berishës që vodhi votat”, tha Rama.
Kreu i PS-së ka theksuar se nuk kërkohen ndryshime në Kod, por vënien në zbatim të këtij Kodi.
“Opozita nuk kërkon të draftojë një Kod të ri, por kërkon të implementojmë Kodin që kemi hartuar së bashku. Nuk kërkojmë lëmosh. Marrim pjesë në çdo proces reformash, por me një kusht. Duam garancinë që nuk jemi pjesë e një dekori”, tha ai.
Rama ka shprehur dhe rezerva për tryezën e mbledhur, duke theksuar se duhet të ishte në formë të rrumbullakët.
“Dua të them disa fjalë në lidhje me këtë tryezë që për hir të së vërtetës do e dëshironim të rrumbullakët dhe jo trekëndësh me majën e këndit në krahun e qeverisë, të dalë nga zgjedhjet e deformuara”, tha Rama.
Ndërhyrjes së kryeministrit gjatë fjalës së tij kreu i PS-së ju përgjigj, “ka mundësi të mos më ndërpresësh se nuk jemi në mitingjet e PD”.
a.k/NOA