Prishtinë, 22 tetor, NOA - Republika e Kiribatit është shteti më i ri që njeh pavarësinë e Kosovës.
Njohja është konfirmuar dje përmes sekretares së Shtetit të kësaj Republike, pohoi sot kreu i AKR-së Bexhet Pacolli.
Me 21shtator, në New York, Bexhet Pacolli, ishte takuar me kryeministrin e Kiribatit, nga i cili kishte marrë premtimin për njohje të shpejtë të shtetit të pavarur të Kosovës.
Kjo njohje vjen në momente të rëndësishme për Kosovën, në një kohë kur Ministria e Punëve të Jashtme funksionon vetëm me zëvendësministër dhe vendi është në një krizë të thelle institucionale, theksohet në një komunikatë për opinion të AKR-së.
Njohja nga Kiribati dëshmon edhe njëherë se lobimi i presidentit të AKR-së po vazhdon me rezultate të reja, të cilat janë të domosdoshme për shtetin e pavarur të Kosovës.
Kiribati është një ishull i vogël me sipërfaqe prej 811 kilometra katrorë, i cili gjendet në qendër të Oqeanit Pacifik.
Në konferencën e sotme ka premtuar, se është duke punuar veçanërisht me një shtet, siç e quajti ai, të vështirë dhe beson se shumë shpejt do të ketë njohje të reja.
Ditë më parë ai pohoi se Libia mund të njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës.
Bexhet Pacolli edhe më herët ka njoftuar për njohje nga disa shtete, të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
NOA