Tiranë, 22 tetor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot paradite ish-anëtarin laburist të Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, baronin Filip Hant, i cili është njëkohësisht edhe Kryetar i Bashkimit Anglishtfolës.
Baroni Hant po zhvillon një vizitë në vendin tonë në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Gjuhës Angleze.
Pasi i uroi mirëseardhjen personalitetit të lartë britanik me një përvojë të pasur në politikë, shkencë dhe në fushën administrative të shëndetësisë, presidenti Topi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë me Britanisë e Madhe në të gjitha fushat.
Kryetari i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Britanisë së Madhe ka dhënë për konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve si dhe për mbarëvajtjen e proceseve integruese euroatlantike të Shqipërisë.
Gjithashtu, presidenti Topi theksoi se Britania e Madhe është për Shqipërinë një vend mik dhe një aleate e fuqishme në plotësimin e aspiratave integruese të popullit shqiptar.
Nga ana e tij, Lordi Hant falënderoi presidentin Topi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe theksoi mbështetjen e mëtejshme të palëkundur të Britanisë së Madhe për realizimin e aspiratave integruese të Shqipërisë.
Baroni Hant nënvizoi në këtë pikë rëndësinë e madhe që ka mësimi dhe përhapja në mënyrë të gjerë e gjuhës angleze për konsolidimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe komunikimit mes popujve dhe vendeve tona mike.
n.e/NOA