Shkodër, 22 tetor, NOA – Forcat e policisë së Shkodrës, gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme kanë arrestuar në flagrancë 36-vjeçarin Agron Lacaj, lindur dhe banues në fshatin Aliaj të Malësisë së Madhe.
Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se ky person ka qenë i shpallur në kërkim nga ana e forcave policore që dhjetë vjet më parë, për arsye se gjykata e Shkodrës, e ka shpallur fajtor për veprën penale të ‘Vrasjes me dashje’ dhe ‘Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’.
Për këto, ajo e ka dënuar të lartpërmendurin me 25 vjet heqje lirie dhe kjo, pasi më datë 01.06.1999, në qytetin e Koplikut, pas një konflikti të çastit, ai ka vrarë me armë zjarri personat me emrat Skënder Rukaj dhe Lulëzim Halaj.
Kapja e Agron Lacajt, u bë e mundur nga drejtoria e policisë së Shkodrës, në bashkëpunim edhe me komisariatin e Policisë në Rinas.
Nga ana e forcave policore, u kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe materialet në ngarkim të tij, iu kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Shkodrës.
n.e/NOA