English

Demontimi, ekspertët: Asgjësimi i municioneve në Tepelenë, nuk paraqet rrezik

Tepelenë, 23 tetor, NOA - Asgjësimi i municioneve në Zharrë të Tepelenës, nuk shfaq asnjë rrezik për banorët dhe zhvillohet në masa absolute sigurie e brenda të gjitha parametrave teknikë.

Kështu konstatoi një ekip i nivelit të lartë ekspertize teknike, në prezencë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneral brigade Maksim Malaj, zv/ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, i cili inspektoi procesin e demontimit në poligonin e Zharrës, në Tepelenë, ku ky i fundit deklaroi se "prova për asgjësimin e municioneve me kapacitet maksimal në poligonin e Zharrës, në Tepelenë, rezultoi pa as më të voglin rrezik për banorët, por edhe një proces që përmbush të gjitha kriteret e sigurisë konform të parametrave teknikë të lejuar, rregullave dhe ligjit në fuqi për asgjësimin e municioneve".

Kjo, pas konfirmimit që dhanë ekspertët e pranishëm dhe qëndrimet brenda në shtëpitë e banorëve të komunitetit të Zharrës, gjatë procesit të demontimit, që u krye me kapacitete maksimale, për të verifikuar në kohë e kushte reale gjithçka.

Duke marrë shkas nga shqetësimet që pak kohë më parë banorët e kësaj zone kishin ngritur lidhur me procesin e demontimit dhe dëmet të pretenduara nga ana e tyre, por edhe në kuadër të inspektimeve të programuara që zhvillohen taktikisht në të gjitha poligonet ku kryhen demontime, një ekip i nivelit të lartë ekspertize teknike, në prezencë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneral brigade Maksim Malaj, zv. ministri i MM, Ekrem Spahiu, Komandantit të Brigadës Logjistike, gjeneral brigade, Xhemal Gjunkshi, por edhe të autoriteteve më të larta vendore, si Mimozo Çomo, prefekte qarkut Gjirokastër etj, ishin të pranishëm jo vetëm gjatë përgatitjes se procedurave për demontim, por më pas edhe shpërthimeve, të cilat, për të krijuar një ide sa më të qartë për situatën, u kryen në kapacitete maksimale.

Në fund të procesit të detonimit me kapacitet maksimal, me 10 gropa me nga 45 kg nec, lëndë shpërthyese, ndërkohë që në përditësinë e vet kjo sasi nuk e kalon 30 kg nec, lëndë shpërthyese, u konstatua, si nga ekspertët e pranishmit, por edhe vetë banorët se nuk paraqitej as rreziku më i vogël jo vetëm për jetën dhe shtëpitë e tyre, por edhe sa i takon ndotjes akustike që shoqëron këtë proces.

Pavarësisht këtij fakti ekspertët shprehën mendimin që në ditët në vijim të ulej akoma më shumë sasia e lëndës për detonim, fakt që do të minimzonte zhurmat e shpërthimeve.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët, autoritetet vendore dhe gazetarët e pranishëm, zv. ministri Spahiu sqaroi: “Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, në zbatim të planit të veprimit për asgjësimin e municioneve dhe eksplozivëve, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të plotësuar kushtet për një proces konform të gjitha parametrave teknikë, duke shmangur çdo shqetësim për komunitetet që banojnë në afërsi të poligoneve. MM dhe SHPFA-ve janë të vendosur të përfundojnë më sukses këtë projekt sa madhor për FA, aq të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe atë rajonale, në bashkëpunim me komunitetin dhe duke ndjekur më vëmendjen maksimale çdo shqetësim, sado të vogël që vjen prej tij. Për këtë arsye erdhëm sot këtu, ndoqëm nga afër e përjetuam së bashku më banorët procesin që zhvillohet në poligon. Për të qenë sa më realistë, transparentë dhe të sigurtë, detonuam sasinë thuajse maksimale të eksplozivit për gropë dhe, në fund të procesit, konstatuam me kënaqësi se nuk pati asnjë shqetësim për banorët”.

n.e/NOA

KOMENTE