Tiranë, 23 tetor, NOA – “Me vizat, mos bëni gabime si Serbia dhe Maqedonia”. Kjo ka qenë porosia që europarlamentarja Tanja Fajon, u ka lënë studentëve shqiptarë gjatë një bashkëbisedimi me ta dhe anëtarë të shoqërisë civile, gjatë një tryeze në Tiranë, ku ka sqaruar kushtet e liberalizimit të vizave.
“Detyra jonë, është informimi i qytetarëve”, tha ajo, duke vënë më pas theksin se politikanët shqiptarë duhet të punojnë për informimin e popullatës mbi kushtet e heqjes së vizave.
“Vizat me Bashkimin Evropian, nuk parashikojnë qëndrimin mbi 3 muaj dhe qytetarët shqiptarë duhet të dinë se nuk mund të kërkojnë azil në vendet e tij”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo tha se Shqipëria është tashmë drejt Bashkimit Evropian, dhe se ka ardhur koha që të rrëzojmë murin e vizave.
E ndodhur që dje në kryeqytetin shqiptar, në prag të marrjes së vendimit final për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, Fajon zhvilloi dje edhe një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili edhe në cilësinë e kreut të Bashkisë së Tiranës, i dorëzoi asaj “Çelësin e Tiranës”.
Fajon ka qenë nga deputetët kryesorë të Parlamentit Evropian, e cila ka bërë një lobin të fuqishëm për heqjen e vizave me Shqipërinë.
n.e/NOA