Tiranë, 23 tetor, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto priti sot Zëvendësministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Vladimir Titov.
Haxhinasto dhe Titov pohuan vullnetin e ndërsjellë për t’i çuar marrëdhëniet shqiptaro-ruse në një nivel cilësisht të ri dhe shprehën gatishmërinë për t’i dhënë inpute konkrete të reja këtij zhvillimi.
Në këtë kontekst, Ministri i Jashtëm shqiptar u shpreh se do të punohet për përfundimin dhe më pas nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Federatës Ruse.
Në takim u ra dakord për mbledhjen sa më shpejt të Komisionit Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik, i cili do të identifikojë fushat konkrete të bashkëpunimit në sektorët e energjisë, turizmit, tregtisë etj.
Lidhur me bashkëpunimin në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, Ministri Haxhinasto tha se si Shqipëria, ashtu edhe Rusia kanë objektiva të përbashkëta lidhur me sigurinë dhe paqen kudo në botë.
Në këtë kuadër, ai u shpreh se pala shqiptare mirëpret bashkëpunimin në kuadrin e Këshillit NATO-Rusi.
Sa i përket çështjeve në rajon, dy palët ndanë të njëjtin mendim mbi rëndësinë e forcimit të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ministri Haxhinasto ritheksoi se politika e Shqipërisë kontribuon për paqen dhe integrimin e gjithë rajonit në Bashkimin Europian, ndërsa njohja e realitetit në Kosovë ndihmon në përshpejtimin e integrimit sa më të shpejtë të të gjitha vendeve drejt BE-së. Zëvendësministri rus Titov e falenderoi ministrin Haxhinasto dhe i përcolli ftesën e homologut Lavrov për të vizituar Moskën, ftesë të cilën Ministri Haxhinasto e pranoi me kënaqësi.
mit/NOA