Tiranë, 23 tetor, NOA – “Sipas interpretimit të Kushtetutës që ka bërë Gjykata Kushtetuese, nisma politike personale e çiftit Berisha-Topalli për çështjen Beqaj është rrëzuar”.
Kështu e ka komentuar deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj dërgimin e kërkesës së mazhorancës për interpretimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqja me akuzat ndaj tij një çështje që tashmë pret verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.
“Inkuizicioni politik, hakmarrja e verbër ndaj kundërshtarit të tyre socialist, deputetit të Shkodrës në veçanti dhe gjithë opozitës në përgjithësi, është rrëzuar dhe është NUL”, deklaroi për gazetarët deputeti Xhafaj.
Sipas tij, vendimi i Kuvendit u miratua me jo më pak se gjysmën plus një të anëtarëve të pranishëm në sallë.
Xhafaj argumentoi më tej se “Shumica blu pati disa probleme njëherësh, pasi mosrikonfirmimi i saj si e tillë, bëri që nisma e saj politike të merrte vetëm 70 vota, por jo vetëm, pasi “gjysma plus një e anëtarëve të pranishëm në votim që ishin të 140 deputetët në sallë është 71, andaj gjithjçka e kurdisur në histeri e sipër për historinë e deputetit Beqaj, ka dështuar plotësisht edhe procedurialisht”, theksoi deputeti socialist.
Deputeti Xhafaj nënvizoi se “votimi i parregullt ishte një provë më shumë për raportin e deformuar, që Sali Berisha dhe të tijtë kanë me votën e lirë dhe të fshehtë, kur nën dritën e prozhektorëve dhe të kamerave, zonja Topalli nuk garanton dot as votën e deputetëve, rasti i zotit Fatmir Toçi, vota kundër e të cilit nuk u numërua në votimin elektronik dëshmon paaftësinë e shumicës për t´i garantuar votën qytetarit në Tropojë e Sarandë, në Shkodër dhe Vlorë, në Tiranë dhe kudo gjetkë”.
“Moskryerja e votimit të fshehtë dëshmoi frikë nga e vërteta e numrave në sallë. Ai votim u tregoi shqiptarëve se Sali Berisha nuk po mund të qeverisë as deputetët e tij. Ky votim dëshmoi se edhe numërimi i votave të 140 grave dhe burrave të zgjedhur nga populli është një sipërmarrje e pamundur për ta, për shkak të pamundësisë intelektuale dhe paaftësisë logjike dhe kryesorja rrjedhojë e vullnetit të mbrapshtë politik që i drejton”, pohoi deputeti socialist.
Në këtë kontekst Xhafaj e ilustroi votimin mbi kërkesën për imunitetin e Beqajt me rastin e ankimimit të një kandidati për Gjykatën e Lartë, e rrëzuar me votim nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, andaj sipas tij Partia Socialiste iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të interpretuar disa nene të Kushtetutës, nenet 69, 70, 71 dhe 72, me synimin politik dhe ligjor, që histori të tilla, me sfond dhe thelb politik, të marrin fund në Shqipëri.
mit/NOA