English

Ngjela: Oferta e Ramës i fundit kompromis. Gjinushi: Zgjedhje të parakohshme bashkë me vendoret

Tiranë, 23 tetor, NOA – Një ditë pas tryezës së partive politike për reformën zgjedhore dhe pak më shumë se dy javë nga marrja e vendimit përfundimtar për heqjen e vizave nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, njëri nga aletatët e Opozitës së Bashkuar, Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela deklaroi sot se drafti i dorëzuar dje në tryezë nga lideri i opozitës, Edi Rama është oferta e fundit për kompromis për zgjidhjen e krizës politike.

Sipas Ngjelës pjesëmarrja e kryetarit të Partisë Socialiste në Tryezën për Reformën Zgjedhore e iniciuar nga kryeministri Sali Berisha ishte vetëm për të paraqitur zgjidhjen që ofron opozita e bashkuar për krizën.

Ngjela bëri me dije se oferta e paraqitur nga Rama ishte një draft që 38 deputetë që nuk u bënë pjesë e tryezës, kishin firmosur për ngritjen e Komisionit Hetimor.

Kreu i Partisë për Ligj e Drejtësi, ripërsëriti se durimi i popullit ka mbërritur në fund pasi kryeministri Berisha i manipuloi zgjedhjet e 28 qershorit duke shkaktuar një krizë politike dhe ekonomike që sa vjen e përkeqësohet, një situatë që sipas Ngjelës ka afat të fundit të durimit 8 nëntorin, pas të cilit opozita do të nisë protestat në të gjithë vendin, për t’i dhënë fund qeverisjes së qeverisë berisha dhe manipulimit të zgjedhjeve për këto 20 vjet demokraci.

Por, Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi e cilësoi tryezën e reformës zgjedhore si mashtrimin e radhës së shefit të mazhorancës dhe jo zgjidhjen e krizës politike.

Gjinushi tha sot se kryeministri Berisha po kërkon të fitojë kohë për t’i dhënë mesazhe të gabuara Brukselit për gjoja zgjidhje të krizës në vend.

Gjinushi e ilustroi këtë me një fjali të tillë si “Po i the hajdutit më kontrollo ku të duash ti, kjo është hajdutëri dhe jo hetim”, tha Gjinushi duke këmbëngulur se zgjidhja për të dalë nga kriza e gjithanshme janë zgjedhjet e parakohshme, të cilat mund të zhvillohen njëkohësisht me ato vendore në 8 maj të 2011-ës.

mit/NOA
KOMENTE