Tiranë, 23 tetor, NOA – “Sot Edvin Kristaq Rama zgjodhi këtë ditë për të dëshmuar se ai për asnjë çast të vetëm nuk shkëputet dot nga trashëgimia e etërve të tij shpirtërorë dhe biologjikë dhe mbrojtja e saj”.
Me një deklaratë të tillë selia blu, ka reaguar ndaj qëndrimit të socialistëve lidhur me ndërtimin e godinës së parlamentit të ri, në vend të ish-Piramidës që ka shërbyer si muze për diktatorin Enver Hoxha, duke shtuar se “sot shefi i bllokmenëve të rinj, në mbrojtje të trashëgimisë të etërve të tij, nxori Fatmir Xhafajn, njeriun që për vite me radhë në festat e diktaturës do të ngarkohej për t’i lidhur në qafë shaminë e kuqe dhe dorëzuar buqetën e luleve diktatorit”.
“Kështu dy ditë më parë kapoja i bllokmenëve të rinj urdhëroi deputetët e PS të inaugurojnë votimin e tyre të parë në parlamentin e vendit për të kundërshtuar ndërtimin e parlamentit të ri të vendit, aty ku babai i tij shpirtëror, tirani mizor, Hitleri shqiptar i pas luftës, ndërtoi piramidën e tij dhe gjithashtu për të mbrojtur bllokmenin e ri Beqja që në emër të mandatit duke shkelur Kushtetutën, ka përvetësuar 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Duke shtuar më tej se Partia Demokratike dënon këtë qëndrim të bllokmenëve të rinj, këtë mbrojtje të papërgjegjshme të trashëgimisë së Enver Hoxhës, nga kasta e bijve të nomenklaturës komuniste që po kthejnë Partinë Socialiste drejt kohërave më të zeza të saj.
“PD ju deklaron se Edvin Rama mund të vendosë në oborrin e partisë së tij, shtatoren e atit të tij shpirtëror, kurse shqiptarët do të festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë së tyre në parlamentin e ri si monumenti dhe simboli më i bukur i sistemit të vlerave të lirisë dhe demokracisë që po ndërtojmë”, përfundon deklarata e selisë blu.
n.e/NOA