English

Pranga 43-vjeçarit për armëmbajtje pa leje

Lezhë, 23 tetor, NOA - Policia e Lezhës ka arrestuar në flagrancë 43-vjeçarin Simon Leka nga Tirana.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës mësohet se Leka është arrestuar në orën 20.30 minuta të ditës së djeshme në momentin që ai po udhëtonte nga Lezha për në Tiranë.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se në afërsi të fshatit ishull Shëngjin, policia e Lezhës ka organizuar një postobllok të menjëhershëm pas të dhënave operative se një person ishte ngjitur në një furgon në Lezhë dhe po udhëtonte në drejtim të Milotit.

Forcat e policisë, pasi e kanë ndaluar mjetin, kanë nisur edhe kontrollet e pasagjerëve ku më pas kanë arritur të gjejnë edhe personin e armatosur në furgon.

Të njëjtat burime shprehen se policia i ka kapur Simon Lekës një armë zjarri pistoletë, si edhe një krehër me dy fishekë.

Pas arrestimit të tij, në flagrancë policia ka ngritur akuzën për veprën penale të "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal, në ngarkim të Simon Lekës.

n.e/NOA

KOMENTE