Prishtinë, 23 tetor, NOA – Privatizimi i Postë-Telekomunikacionit të Kosovës është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, nga deputeti kosovar Gani Geci, me kërkesën për interpretimin e vendimit rreth saj.
Sipas tij, gjatë votimit të Strategjisë për privatizim të PTK-së është shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit.
Sipas nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës, në të cilin flitet për juridiksionin dhe palët e autorizuara për të shtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, në pikën 5 të saj thuhet: dhjetë a më shumë deputetë, brenda 8 ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji, ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.
Privatizimi i Postë-Telekomunikacionit të Kosovës është miratuar para pak ditësh nga Kuvendi kosovar, me 47 vota pro, 2 vota kundër dhe 1 abstenim.
Edhe pse deputetët e opozitës kanë dalë nga salla e Kuvendit në shenjë bojkoti për moslejimin e privatizimit të Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, kanë mjaftuar votat e deputetëve të Partisë Demokratike dhe minoriteteve për ta ligjëruar atë.
n.e/NOA