Mos prisni biletë autobusi nëse nuk jeni i sigurt që keni probleme në doganë dhe shkoni atje në orët e para të mëngjesit që të kryhet komunikimi polici-bashki
Athinë, 23 tetor 2010 - Një tjetër lajm i mirë vjen për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Lajmi iu referohet qindra emigrantëve që për shumë arsye u janë refuzuar dokumentet nga Periferia dhe duke mos e ditur kanë udhëtuar në Shqipëri dhe kanë mbetur atje.
Emigrantët që disponojnë vërtetimin Blu mund të shkojnë në doganë në orët e para të mëngjesit dhe autoritetet greke i dërgojnë fax bashkisë, ku emigranti ka bërë dorëzimin e dokumenteve për lejën e qëndrimit.
Brenda disa orësh, bashkia i kthen mbrapsht doganës faxin, ku shkruan arsyet e refuzimit të dokumenteve.
Nëse refuzimi është bërë për arsye sigurimesh shoqërore ose për mungesën e një kriteri jo të rëndësishëm, atëherë emigranti kalon për në Greqi pa asnjë problem.
Nëse emigrantit shqiptar i janë refuzuar dokumentet për çështje penale, atëherë është e vështirë të kalojë në Greqi.
Mbrëmjen e kaluar një çift i moshuar emigrantësh tentuan të kalonin doganën, mirëpo për shkak se ora ishte 17. 00, policia i ktheu mbrapsht duke u thënë se duhet të shkonin ditën e sotme në orën 08. 00 që të kryhej procedura e komunikimit me bashkinë ku çifti kishte aplikuar për rinovimin e lejës së qëndrimit.
NOA/NEWSIT