Tiranë, 23 tetor, NOA - Në kuadër të veprimtarive të vendeve të SEDM-it, zhvillohet në Tiranë stërvitja e Emergjencave Civile “SEESIM-10 (South Eastern Europe Simulation)”, në ambientet e Komandës së Doktrinës së Stërvitjes.
Vendi ynë është përzgjedhur, si vend pritës i projektit “SEESIM-10”, në takimin ministerial të vendeve të SEDM-it, më datë 08 tetor 2008.
Në stërvitje janë të pranishëm zv/ministrat dhe zv/shefat e shtabeve të vendeve anëtare. Në bazë të kalendarit të paracaktuar dhe miratuar me konsensus nga vendet e SEDM-it, në stërvitjen në fjalë, më datë 24 tetor 2010 zhvillohet dita e Vizitorëve të Shquar (DVDay).
SEESIM 10, është një nga stërvitjet më të mëdha në Europë e më gjerë. Ajo ka si qëllim promovimin e bashkëpunimit, kooperimit dhe ndërveprimit midis shteteve të Europës Jug-Lindore dhe organizatave ndërkombëtare dhe jo-qeveritare.
Misioni i stërvitjes është zhvillimi, standardizimi dhe praktikimi i proceseve dhe procedurave të nevojshme për sigurimin e bashkëpunimit, koordinimit, ndërveprimit dhe ndihmës reciproke, në përgjigje të terrorizmit, fatkeqësive natyrore ose atyre të shkaktuara nga njerëzit.
Përmes kësaj stërvitje, sigurohet një mjedis stërvitor që synon promovimin e objektivave të forumit të Ministrave të Mbrojtjes së Vendeve të Europës-Juglindore dhe të NATO-s për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe për transparence, besim reciprok dhe fqinjësinë e mirë.
n.e/NOA