Tiranë, 23 tetor, NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha i shprehu sot mirënjohjen europarlamentares së majtë sllovene Tanja Fajon, për ndihmesën e jashtëzakonshme dhe rolin e saj në procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.
Në takimin mes tyre, Ministri Basha informoi europarlamentaren Fajon mbi fushatën e gjerë në disa nivele, që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për informimin e qytetarëve mbi të drejtat dhe detyrimet e lëvizjes së lirë.
Basha njohu eurodeputeten Fajon mbi hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për t’i paraprirë momentit historik të heqjes së vizave, për konsolidimin e reformave në fushën e sigurisë së dokumentave, sigurisë së kufirit, luftës kundër krimit të organizuar e terrorizmit, trafiqeve, korrupsionit, për garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve, si dhe për garantimin e një procesi të konsoliduar të riintegrimit të të riatdhesuarve, të cilët nuk përmbushin kushtet e qëndrimit të ligjshëm në zonën Shengen.
“Edhe pas këtij vendimi historik, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk do t’i ndalë, por do t’i intensifikojë përpjekjet e saj për të konsoliduar rezultatet, që ishin çelësi i suksesit në këtë proces, rezultatet në luftën kundër krimit, reformat e thella jo vetëm në fushën e rendit dhe sigurisë, dhe në përpjekjet tona të vazhdueshme për të avancuar edhe më tej me ëndrrën europiane të shqiptarëve, integrimin e plotë të vendit në BE”, deklaroi Ministri Basha.
Raporterja e Parlamentit Europian për procesin e heqjes së vizave me Shqipërinë, Tanja fajon vlerësoi punën e kryer nga institucionet shqiptare për përmbushjen e plotë të kushteve teknike të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
“Shqipëria është pranë heqjes së regjimit të vizave. Shqipëria i përmbushi të gjitha kriteret teknike. Është bërë një punë të shkëlqyer. Komisioni Europian vlerësoi përmbushjen e kushteve nga Shqipëria dhe unë jam shumë e lumtur, që edhe Parlamenti Europian dha një mbështetje të fortë për këtë proces, theksoi ajo për mediat pas takimit me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha në Tiranë.
mit/NOA