English

Xhafaj: Pa transparencë, s’ka reformë zgjedhore

Tiranë, 23 tetor, NOA – Ashtu sikundër vetë lidershipi i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi dje në tryezën e partive politike për reformën zgjedhore se ai nuk është kundër reformës, porse përpara saj duhet të zgjidhet transparenca e zgjedhjeve të vjedhura të 28 qershorit edhe sot deputeti socialist, Fatmir Xhafaj ripërsëriti qëndrimin e opozitës “se nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa transparencën e zgjedhjeve të shkuara”.

“Se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 nuk i deformuan defektet e Kodit Zgjedhor, por interpretimi tipik ballkanik i tij nga zoti Berisha”, theksoi deputeti Xhafaj.

Ai argumentoi në këtë kontekst se “Vullneti politik i Partisë Socialiste, i shprehur dhe nga kryetari i saj Edi Rama, është i qartë dhe i pamëdyshur, transparencë në kufijtë dhe orientimin e rezolutës së PE-së, të datës 8 korrik 2010. As më shumë dhe as më pak se kaq”.

Por, sipas deputetit socialist, Fatmir Xhafaj mazhoranca e drejtuar nga Sali Berisha ka frikë nga transparenca e kutive të 28 qershorit, arsyeja për të cilën sipas tij zvarritet ky proces hetimor, një fakt që dëshmon se Berisha kërkon rishtas të vjedhë votën edhe në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011.

Gjatë tryezës formale për reformën zgjedhore, kryeministri Sali Berisha u zotua se nuk do të djegë fletët e votimit që mbajnë kutitë e 28 qershorit deri dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 2013-ës, duke theksuar se qeveria do të lëshojë një fond të ri për blerjen e kutive të votimit për zgjedhjet vendore të vitit 2011.

Ky vendim i kryeministrit erdhi pas pranisë së liderit të opozitës në tryezën e partive parlamentare me një draft për zgjidhjen e krizës politike, apo kompromisit për të sipas Ramës, që si lajtmotiv ka transparencën e zgjedhjeve dhe ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor për hetimin e materialeve të votimit.

mit/NOA
KOMENTE