Tiranë, 24 tetor, NOA – Trafiku tejet i rënduar i makinave pranë rrugës së Elbasanit ka shënuar edhe nisjen e mbërritjes së të ftuarve që do të marrin pjesë në dasmën e liderit të opozitës Edi Rama me Linda Bashën këtë pasdite.
Të ftuarit personalitete të politikës, mediave, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë dhe miq e të afërm të dy protagonistëve të kësaj ceremonia dasme janë duke mbërritur në mjediset e lokalit Xibraku ku do të mbahet ceremonia e martesës së kryetarit të Partisë Socialiste.
Ende në këto momente nuk ka mbërritur në mjediset e dasmës dhëndrri me nusen, të cilët pritet nga momenti në moment të hyjnë në mjediset e Xibrakut të mbushur me të ftuar.
Kjo dasëm e blinduar për mediat do të zgjasë vetëm 2 orë e gjysmë, nga ora 16.00-18.30.
Rreth 800 të ftuar pritet të marrin pjesë në këtë ceremoni galante, që sikundër vetë lideri i opozitës ka thënë do të jetë një koktejl i thjeshtë, por i organizuar me tërë hiret e një dasme të veçantë, që sigurisht do t’i shkonte për shtat shijeve të kryetarit të Partisë Socialiste, që vjen nga bota e artit të pikturës, një prirje kjo që Rama nuk e ka humbur edhe nën kostumin e kryepolitikanit rozë.
Deri tani ka mbërritur në mjediset e dasmës djali i Edi Ramës, Gregori si dhe i vëllai i tij Olsi Rama.
Nuk mungojnë në këtë ceremoni edhe përfaqësues të besimeve fetare.Vijon....
mit/NOA