English

Heshtja e turpshme ndaj Budës

“Në këtë 100-vjetor të Kryetarit të parë të Akademisë Shkencore nuk mori pjesë as Kryetari i Shtetit, as Kryetari i Qeverisë dhe për më tej asnjë kryetar partie. Në biseda me shumë akademikë pas shfaqjes së filmit, u shpreh çudia për këtë heshtje, për këtë nënvleftësim ndaj një figure të shquar të shkencës dhe letrave shqipe”.

Albert Zholi

Dje në orën 18-00, hapi siparin konferenca shkencore “Jeta dhe vepra e Prof. Doc Aleks Buda”me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij. Në këtë veprimtari morën pjesë të afërm të familjes, akademikë, miq, ish- koleg, studiues, Prof. Dr, intelektualë nga të gjitha fushat e shkencës dhe shoqërisë shqiptare.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Dr. Gudar Beqiraj. Më pas fjalën e mori Akademiku Jorgo Bulo, i cili foli për rolin që ka luajtur Prof. Dr, Akademiku Aleks Buda në krijimin e Akademisë së parë shqiptare.

Kjo veprimtari pati një pikë kulmore kur në sallën që mban emrin e Budës, u përurua busti i tij, si dhe u shfaq filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Budës i realizuar nga TVSH me skenar dhe regji të Petro Latit.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të zhvillojë një veprimtari dy ditore për jetën dhe veprën e këtij Akademiku, i cili ishte nismëtar i themelimit të Akademisë së Shkencave. Kjo veprimtari do të zgjasë në datat 22 dhe 23 tetor ku do të mbahen një sërë kumtesash nga Akademikë, Profesor dhe njerëz të shquar në fusha të ndryshme të kulturës. Por çfarë u pa në ditën e parë të hapjes së konferencës shkencore?

Së pari që në këtë 100-vjetor të Kryetarit të parë të Akademisë Shkencore nuk mori pjesë as Kryetari i Shtetit, as Kryetari i Qeverisë dhe për më tej asnjë kryetar partie. Në biseda me shumë akademikë pas shfaqjes së filmit, u shpreh çudia për këtë heshtje, për këtë nënvleftësim ndaj një figure të shquar të shkencës dhe letrave shqipe.

Për më tej, në hapjen e kësaj veprimtarie nuk mori pjesë as Ministri i Arsimit dhe as Ministri i Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve. Pra u vu re një heshtje totale ndaj një prej figurave më të shquara të Albanologjisë, nismëtarit të krijimit të Akademisë së parë shqiptare.

Përpos sa më lart, në këtë veprimtari nuk u panë as mediat vizive. Përjashto TVSH dhe News -24, asnjë media tjetër vizive nuk denjoi të përkujtonte rolin dhe veprën e Aleks Budës. Duke qenë të përditshëm në këto institucione të shkencës, artit, kulturës shqiptare, të vjen keq kur sheh që mediat si pushtet i katërt që kanë çdo gjë të përbashkët me Akademikët, me njerëzit e letrave, të lënë në heshtje një eveniment të tillë dhe të vrapojnë më shumë pas një lajmi politik.

Jam i bindur se, nëqoftëse do të jepte një konferencë për shtyp qoftë dhe një parti politike me elektorat sa vetë Komiteti Drejtues i kësaj partie, gjithë mediat do të ishin të pranishme. Ndërsa, në rastin konkret, kur përkujtohet Aleks Buda, i cili i kushtoi një jetë gjysmë shekullore albanologjisë, media hesht.

Në një shoqëri të civilizuar, të emancipuar, demokratike, respektohen më shumë akademikët, njerëzit e artit, kulturës, shkencës, ata që e bashkojnë në një, gjuhën dhe dëshirat e popullit. Ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta! Në Shqipëri edhe qeliza më e fundit e shoqërisë është e politizuar. Politika del mbi shkencën artin, kulturën. Politika është e para kudo. Por një gjë është e qartë. Politika është shumë e përkohshme, ndërsa akademikë dhe shkencëtarë si Aleks Buda janë të përjetshëm.

As vetë politikanët nuk e dinë sa kryeministra ka pas Shqipëria pas vitit 1990, por aman e di se kush ka qenë për njëzet e një vjet Kryetar i Akademisë së Shkencave. Kjo ditë mbetet një ditë apel për politikën shqiptare: Politikanë, kthejini sytë nga akademikët, artistët, shkrimtarët. Ata janë ndërgjegjja kombit. Ata janë paraqitja më dinjitoze e kombit në të gjitha konferencat shkencore botërore. Ata janë vetë historia e kombit tonë.

KOMENTE