English

Konfindustria: Rritja e pragut të TVSH, rrezikon rritjen e korrupsionit të institucioneve fiskale

Tiranë, 24 tetor, NOA – Pas paraqitjes së projekt vendimit të Këshillit të Ministrave për uljen e kufirit të xhiros vjetore të bizneseve, që do të përfshihen në skemën e TVSH-së nga 5 milion në 2 milion lekë konfindustria ripërsëriti sot shqetësimin, se vazhdimi i strategjisë së lëvizjes së pragut rrezikon, që jo vetëm të mos arrijë uljen e evazionit fiskal, por mund të sjellë pasoja të kundërta dhe njëkohësisht të shërbejë si mundësi për rritjen e shkallës së korrupsionit dhe subjektivizmit nga institucionet fiskale zbatuese.

Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku kërkoi në mbledhjen e fundit të Këshillit Konsultativ të Biznesit, që përfshirja në skemën e TVSH-së të mos vazhdojë të bëhet bazuar në pragun e xhiros vjetore, por të jetë e detyrueshme për të gjithë subjektet, ku do të vendosen kasa fiskale dhe ku përjashtim mund të bëjnë vetëm tregtarët ambulantë.

Të dhënat e deritanishme, sipas Buxhukut treguan se është rritur më tej shkalla e vështirësisë në lëshimin e faturave fiskale nga bizneset e vogla, që përpiqeshin të qëndronin nën pragun në fuqi të vendosur në vitin e kaluar fiskal prej 5 milion lekësh në vit nga 8 milion lekë që ishin më parë, duke krijuar mundësi shmangie shtesë prej 3 milion lekësh në vit në vlerë fature për çdo biznes.

Në shkallë vendi kjo zë peshë mjaft të madhe financiare dhe përkthehet në rritje shumë shqetësuese të shmangies fiskale prej disa qindra milion eurosh në shkallë të ekonomisë kombëtare.

Administratori i Konfindustrisë tha në një konferencë për shtyp se nëse vazhdohet me të njëjtën rrugë, sikurse është ulja e kufirit të xhiros vjetore të kërkuar nga ekzekutivi, rrezikon të shtohet edhe me një shmangie shtese prej 3 milion lekë/vit për çdo biznes, duke e kthyer shumatoren e plotë të shmangies së mundshme fiskale brenda 2 vitesh financiare, deri në 6 milion lekë në vit për çdo subjekt, që në shkallë vendi vlerësohet me përmasa dramatike prej qindra e qindra milion euro të përvitshme të lëvizur në të zezë.

“Dukuria në fjalë është shoqëruar edhe me dukurinë tjetër shqetësuese të kalimit në vetmbyllje ose falimentim të sforcuar të mjaft subjekteve tregtare, si biznes i vogël, me qëllim vazhdimin e punës si subjekte të reja të pakontrolluara më parë nga institucionet fiskale”, deklaroi Buxhuku.

mit/NOA
KOMENTE