Tiranë, 24 Tetor 2010 NOA - Drejtoria e Seancave të Kuvendi i Shqipërisë, në një deklaratë zyrtare që publikoi para pak çastesh, kritikoi qëndrimet e opozitës mbi procedurën e votimit për të çuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për të interpretuar të drejtën e mbajtjes ose jo në të ardhmen të mandatit të deputetit, nga socialisti Ilir Beqja.
“Insinuata për pavlefshmërinë e votimit për çështjen e z. Ilir Beqja mund të trajtohej si trillim i padenjë nëse atij nuk do t’i viheshin skllavërisht në shërbim njerëz nga bota e juristëve”, - thuhet në deklaratë.
Kurse shtohet: “Në Kuvendin e Shqipërisë deri më sot nuk ka ndodhur as edhe një herë të vetme të numërohen deputetët që gjenden në sallë, në holle apo korridore. Deri më sot janë numëruar si kudo në botë, deputetët pjesëmarrës në votim. Në rastin konkret, deputetët pjesëmarrës në votim ishin 139. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe sistemi elektronik i votimit”.
Sipas Parlamentit, “rasti i referuar nga pseudot e PS tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregon për këdo se gjatë votimit në fjalë, numri i deputetëve të pranishëm në sallë ka qenë gjatë gjithë kohës më i vogël se numri i deputetëve pjesëmarrës në votim”.
Në përfunditm, Kuvendi thekson se “Gjykata Kushtetuese, kur ka bërë llogaritë e veta u është referuar vetëm këtyre të fundit, vetëm deputetëve që votojnë pro, kundër, ose abstenojnë”.
e.r/NOA