Pakistan, 25 tetor, NOA- Një burrë pakistanez disa ditë më parë është martuar me dy gra në më pak se 24 orë. Azhar Haidra ka kapur në këtë mënyrë, vëmendjen e mediave të vendit të tij që kanë transmetuar të dyja ceremonitë në televizion.
Në fillim burri ka refuzuar të martohej me vajzën e zgjedhur nga familja e tij, pasi ai kishte një dashuri me një grua tjetër. Azhar ishte i lidhur prej vitesh me Rumana Aslam, 21 vjeçe, por prindërit e tij kishin vendosur se fati i djalit të tyre ishte që të martohej me Qasim Humaira, 28 vjeçe. Pas shumë debatesh të zgjatura me familjen e tij, Azhar ka propozuar një kompromis. Ai vendosi të martohet me te dyja grate në më pak se 24 orë në dy ceremoni të ndara në qytetin Multan, në mënyrë që ti kënaqë të gjithë.
"I kam propozuar këtë mundësi prindërve të mi, duke thënë se unë do të martohem me të dyja", - tha Azhar Haidra, 23 vjeç - "Sigurisht të dyja nuset kanë pranuar. Është e rrallë të gjesh dy gra të gatshme që duan të martohen me të njëjtin person". Të dyja gratë kanë thënë përpara mediave vendase se dëshirojnë të jetojnë së bashku si mike dhe motra. "Unë jam e lumtur që ne dashurojmë të njëjtin burrë" – ka thënë Aslam.
Në Pakistan, poligamia është e lejuar me ligj, në përputhje me rregullat e fesë islame, për aq kohë sa gratë janë jo më shumë se katër.
a.e./NOA