Tiranë, 24 tetor, NOA – Në këto momente ka ndodhur edhe momenti simbolik i bashkimit në martesë të kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryebashkiakut Edi Rama me bashkëshorten e tij, Linda Basha.
Regjisorja e njohur shqiptaro-franceze, Liri Begeja, mikja e vjetër dhe dëshmitare e dhëndrrit Edi Rama në këtë martesë ka çelur ceremoninë e dasmës duke i dhënë unazën Edi Ramës, një unazë që simbolizon më së miri lirinë dhe dashurinë.
Çifti i ri ka shkëmbyer ndërkaq unazat e martesës dhe mësohet se drejt tyre për t’i uruar të parët janë afruar djali i Ramës, Gregori dhe vajza e Lindës, Rea.
Burime të pakonfirmuara brenda dasmës thonë se shefi i opozitës i është shmangur puthjes në publik me bashkëshorten e tij Linda Basha, një moment ky i rëndësishëm në ceremonialin e një dasme, por me sa kuptohet Rama është treguar i përmbajtur, për të qenë larg komenteve që vijnë pas një puthjeje në publik.
Kryesocialisti Rama mësohet se vetëm është përqafuar ngrohtësisht me bashkëshorten e tij duke i lënë të presin një puthje që s’ndodhi, mbi 800 të ftuarit në dasmën e kryepolitikanit rozë.
Por, siç dihet kryepolitikani rozë duket e ka ruajtur këtë moment puthjeje përtej kësaj dasme, pasi sikundër dihet në lidhjen që ai pati disa vite më parë me prezantuesen e njohur Rudina Magjistari bëri bujë një puthje e Ramës me të në mes të spektaklit live.
Por, Edi Rama ka bërë jo pak bujë edhe për fotot e tij nudo, në një plazh të Francës.
Këto foto të shkrepura në vitin 1997, u publikuan në zgjedhjet vendore të vitit 2007, kur në Tiranë garonin për Bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama dhe Sokol Olldashi.
Mazhoranca priti që fotot e publikuara që bënë një xhiro të paparë në mediat e vendit, të sillnin humbjen e Edi Ramës në këto zgjedhje.
Por, duket se hiret e kryetarit të Bashkisë dhe prirjet e tij për të qenë ndryshe nga të tjerët nuk i smbrapsën zgjedhësit e Ramës, të cilët e votëbesuan edhe për këtë mandat në krye të Tiranës.
mit/NOA