Tiranë, 24 tetor, NOA – Kreu i shtetit Bamir Topi i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të të ndjerit Profesor Murat Manahasa, pedagogut dhe shkencëtarit të shquar të fushës së parazitologjisë.
Kreu i shtetit vlerëson lart figurën dhe përkushtimin e Manahasës në kërkimet shkencore.
“Profesor Murati ishte një figurë e ndritur dhe me vlera të pamohueshme në shkencat mjekësore e studimin e parazitologjisë si dhe në përçimin e dijeve dhe zbulimeve të kësaj fushe tek studentët dhe kolegët dhe kujtimi i tij do të mbetet i pashlyeshëm në zemrat dhe mendjet e të gjithëve neve që patëm fatin ta njohim, të bashkëpunonim me të e ta kishim mik”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.
Presidenti shprehet se Profesor Murat Manahasës gjithë jetën e vet ja përkushtoi misionit të vështirë e fisnik të pedagogut dhe shkencëtarit në Universitetin e Tiranës.
“Në këto momente të vështira, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë!”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit për familjarët.
a.k/NOA