Tiranë, 24 tetor, NOA – Është zhvilluar në Tiranë në kuadër të SEDM-it, stërvitja e Emergjencave Civile “SEESIM-10”.
Vendi ynë ishte përzgjedhur si vend pritës i projektit “SEESIM – 10”, në takimin Ministerial të vendeve të SEDM-it, më datë 08 tetor të vitit 2008.
Të pranishëm në stërvitje ishin zëvendësministrat dhe zv.shefat e shtabit të vendeve anëtare të SEDM-it. SEESIM 10, si një nga stërvitjet më të mëdha në Europë e më gjerë synoi promovimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit midis shteteve të Europës Jug-Lindore dhe organizatave ndërkombëtare dhe jo-qeveritare.
Misioni i stërvitjes ishte zhvillimi, standardizimi dhe praktikimi i proceseve dhe procedurave të nevojshme për sigurimin e bashkëpunimit, koordinimit, ndërveprimit dhe ndihmës reciproke, në përgjigje të terrorizmit, fatkeqësive natyrore ose atyre të shkaktuara nga njerëzit.
SEESIM shërben si një mekanizëm integrues i projekteve dhe energjive rajonale me qëllim inkurajimin e krijimit të kapaciteteve të nevojshme reaguese ndaj emergjencave civilo-ushtarake.
E gjithë veprimtaria e kësaj stërvitje menaxhohet nga tre grupe, të cilët në bazë të formatit të paracaktuar, veprojnë mbi bazën e konsensusit për marrjen e vendimeve.
Vendet mbështetës janë njëkohësisht SHBA-të dhe Suedia.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova duke folur për rëndësinë e kësaj stërvitjeje tha se "Stërvitje të tilla, që ndihmohen me logjistikë kompjuterike, rrjete elektronike, janë nga stërvitjet më të mëdha dhe natyrisht nuk bëhet fjalë vetëm për trajnime nga Shqipëria, por bëhet fjalë për 15 qendra të tjera, që janë të lidhur 'on line' dhe ndajnë në çdo moment situatën e emergjencave, formave dhe mjeteve të bashkëpunimit dhe zgjidhjet që u jepen. Është stërvitja e 5-të e këtij niveli, që do të pasohet nga stërvitje të tjera, më të specifikuara, më të specializuara”.
Sipas zëvendësministrit Starova këto stërvitje shërbejnë për të krijuar kapacitete të reja për të aftësuar forcat ushtarake dhe civile, jo vetëm për të bashkëpunuar, por edhe për t’iu përgjigjur të gjitha rreziqeve.
Ndërsa, gjeneral brigade, Vladimir Qirjazi, nënvizoi se nga pikpamja ushtarake, "është një nga stërvitjet më të mëdha që zhvillohet sidomos me sistemet kompjuterike, video konferencat, në të gjitha vendet që marrin pjesë në këtë SEDM, por edhe më gjerë”.
Përfaqësuesi amerikan i NATO-s në Shqipëri, Jimmie Opilla, si organizator i kësaj stërvitjeje u shpreh se “Është shumë e rëndësishme për të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe kryesisht për të gjitha Ministritë e Mbrojtjes së këtyre vendeve, që të punojnë së bashku, të ketë një frymë bashkëpunimi mes tyre dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin në situata të tilla emergjente, duke krijuar kështu siguri dhe stabilitet për të gjitha vendet e rajonit”.
Në këtë stërvitje të pestë pati 15 rajone stërvitjeje, një pjesëmarrje më aktive të organizatave ndërkombëtare dhe mbi 1500 ngjarje/incidente, që u luajtën dhe improvizuan në stërvitje në të gjithë hapsirën e rajonit të Europës Jug-Lindore, të cilat në vetvete ishin skenari i kësaj stërvitje.
U promovuan menaxhimin i Pasojave; Siguria e Kufijve; Lufta Kundër-Terrorizmit; Mospërhapjen e Armëve të Dëmtimit në Masë; Koordinimi në fuksion të menaxhimit të rreziqeve dhe sulmeve ndaj sistemeve kompiuterike (cyber attacks); Krijimi i Kapaciteteve Reaguese nga Shtetet Pjesëmarrëse; Realizimi i Operacioneve të Shpëtimit etj.
mit/NOA