Tiranë, 25 tetor 2010, NOA/ Irma Toptani – Pas akuzave të lëshuara nga deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, të shtunën, për ndërtimin e Parlamentit të ri tek ish piramida e Enver Hoxhës sot Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, kryeministri Sali Berisha ka mbrojtur sot vendimin e marrë për ndërtimin e godinës së Parlamentit të ri, duke deklaruar se “ndërtimi i Parlamentit të ri, nuk është thjesht një vullnet, por është një domosdoshmëri.
Sipas kryeministrit, ky vend, i cili vuajti për 50 vjet diktaturën më të egër dhe izoluese të Evropës është i etur për një tempull të demokracisë, sikundër është parlamenti dhe duhet ta ketë.
“Është në dinjitetin e vendit të ketë ndërtesën e Parlamentit. Fati e dha që terreni të jetë aty ku e premton. Nuk mundet, që në mes të Tiranës të rrijë piramida e ndërtuar për të përjetësuar diktatorin më të egër, që e cilësuan si Hitlerin e post-luftës së dytë botërore.
Tani piramida duhet t’i lëshojë vendin Parlamentit”, deklaroi kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.
Shefi i mazhorancës bëri me dije se Piramida është vendi më ideal për ndërtimin e Parlamentit të ri, sikundër vendosi edhe një grup deputetësh.
Në këtë linjë diskutimi shefi i ekzekutivit kujtoi se fillimisht Partia Socialiste ishte dakort me projektin në fjalë, por më pas vijoi kryeministri PS kundërshtoi projektin.
Duke ironizuar zoti Berisha tha se me ç’duket ndonjë fantazmë u shkoi socialistëve në selinë rozë e ua ndërroi mendjen.
Shefi i qeverisë premtoi në këtë suazë së “Do bëhet çdo gjë që parlamentin e ri ta inaugurojmë në nderim të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, në nderim të tërë atyre burrave të mençur shqiptarë që në kohërat më të stuhishme shpallën pavarësinë e territorit shqiptar, nga idetë për ndarje që vinin nga fuqitë e huaja.
“Qeveria do të mobilizojë çdo gjë, dhe është e rëndësishme që Komiteti të veprojë çdo ditë në mënyrë që shqiptarët ta shohin parlamentin e ri në sa më shpejt”, bëri thirrje kryeministri.
Selia rozë e akuzoi të shtunën qeverinë se është në kaos vendimesh.
Deputeti socialist Fatmir Xhafaj solli në vëmendje votimin në parlament për ngritjen e komitetit për Parlamentin e Ri tek piramida, duke i vënë përballë, vendimin e ekzekutivit të së enjtes mbrëma, kur qeveria vendosi lëvrimin e një fondi për vazhdimin e rikonstruksionit të piramidës në një teatër kombëtar, vendime që nuk përputheshin sipas socialistëve.
Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor kryeministri Berisha përcolli edhe në shqetësim të studentëve për problemet që vijnë nga moskuptimi i sistemit të Bolonjës në arsim dhe masteri pas tre viteve të universitetit.
Kryeministri solli në vëmendje shqetësimin e dhjetëra studentëve, të cilët i kishin shkruar duke e informuar se Fakultete të ndryshme nuk u njohin të drejtën e masterit për shkak të kuotave të përzgjedhura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Shefi i ekzekutivit i bëri thirrje Ministrisë së Arsimit, që të mos ketë kufizime për masterin.
“Qëllimi i sistemit të Bolonjës nuk është që të ndalë studentët, andaj ministria e Arsimit të marrë masa për të hequr nga universitetet çdo lloj ngjashmërie me repartet ushtarake, në kuptimin, që çdo student mund t’i ndërpresë studimet dhe të lejohet t’i kthehet universitetit kur ai të ketë mundësi, pasi sikundër tha kryeministri ka ngjarje njerëzore, që i detyrojnë studentët të ndjekin një rrugë tjetër.
Sipas kryeministrit studentët duhet të kenë të drejtën t’i rikthehen universitetit kur ata të kenë mundësi duke bërë thirrje që universitetet nuk duhet të funksionojnë si repart ushtarak.
“Kjo gjë i bën më të sigurt universitetet tona sikundër u jep mundësi studentëve që për ngjarjet e tyre gjatë studimeve të mos humbasin të drejtën e mbarimit të studimeve dhe ky është një standard perëndimor”, tha shefi i qeverisë.
Zoti Berisha e mbylli fjalën e tij duke theksuar se “Duhet të dalim nga disa skema që koha i ka bërë të pavlefshme dhe të zhvillojmë universitetet tona sipas standardeve perëndimore”.
mit/NOA