English

Kiribati, vendi i 71 që njeh Pavarësinë e Kosovës

Tarawa, 25 tetor, NOA – Republika e Kiribatit, një ishull koralor në Oqeanin Paqësor është vendi i 71-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Lajmin e bëri publik sot vetë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Sipas saj, Republika e Kiribatit ka shprehur gjithashtu gatishmërinë, që me Republikën e Kosovës të lidhë marrëdhënie bilaterale diplomatike për zhvillimin e raporteve miqësore dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në fushat politike, tregtare dhe ekonomike.

Në notën verbale të dërguar institucioneve të Kosovës nga autoritetet e Kiribatit thuhet se “Republika e Kiribatit ka njohur pavarësinë e Kosovës”.

Ka qenë vetë ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kiribatit që ka njoftuar se Kiribati ka marrë vendim për njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës me datë 21 tetor 2010.

Por, edhe vetë kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behxhet Pacolli, e kishte njoftuar më herët këtë lajm.

Republika e Kiribatit u pavarësua si koloni e Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1979.

Kiribati është anëtar i Bankës Botërore, si dhe anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara qysh prej vitit 1999.

mit/NOA
KOMENTE