Tiranë, 25 Tetor 2010 – Kompania telekomunikative Tring Digital deklaroi se Këshilli Kombëtar i Radio-Televizioneve vazhdon të jetë vegël në duar të kompanive që po humbin tregun monopol të platformave digitale.
Tring Digital përmes një komunikimi zyrtar tha sot se kërkon të sqarojë të gjithë klientët e tij në rritje se asnjë vendim dhe ndërhyrje e padrejtë në tregun e konkurrencës së lirë nuk cenon në asnjë rast ata dhe kompaninë.
Nga ana tjetër, Tring Digital evidenton se është në prag të investimeve të mëdha në rajon në hapësirën mbarë shqiptare falë transmetimit satelitor që varet nga Eutelsat me qendër në Francë dhe jo nga konkurrentët e saj të trembur nga humbja e shumë të drejtave ekskluzive si dhe humbjeve të pritshme që kanë sjellë rënie të ndjeshme të tregut të abonentëve të tyre.
{youtube}efn7x-3C3t4{/youtube}
Më tej deklarata e Tring Digital vëren se kjo kompani nuk mund të ndikohet nga asnjë vendim qesharak i KKRT-së në investimet madhore.
“Tring Digital shpreh keqardhje për përpjekjet e shëmtuara të atyre që një ditë ankohen ndaj qeverisë se po ju heq pllakat e mermerit te piramidës dhe një ditë tjetër bëhen palë në mënyre qesharake me këshillin kombëtar të radio televizioneve. Duke besuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë ekuivok tek politikat e qeverisë për thyerjen e monopoleve në treg, Tring Digital vazhdon investimet me qindra mijëra euro”, - vijon deklarata.
Kurse më tej vjen edhe kujtesa: “I palëkundur nga frika e konkurrentëve të tij, duke u kujtuar konkurrentëve përpjekjet e përbashkëta për të rregulluar tregun mediatik, por edhe të përpjekjeve për të bërë qëndresë ndaj sulmeve të padrejta të qeverisë ndaj medias bëjmë me dije se çdo akt i tyre për të zbehur tregun e konsoiliduar të Tring Digital i bën qesharake dhe të pabesueshëm, nuk është faji i Tring Digital që konkurrentët po humbin klientë. Për dy vite Tring Digital ka thithur disa qindra mijëra abonentë në Shqipëri dhe mbare botën duke u bërë një përfaqësues dhe konkurrent i denjë dhe natyrisht për këtë nuk e ka fajin Tring Digital”.