English

Kryeprokurorja Ina Rama takon Avokatin e Popullit të Marokut

Tiranë, 25 tetor, NOA - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama u takua sot me Avokatin e Popullit të Mbretërisë së Marokut, Moulay Mhamed Iraki, i cili po zhvillon një vizitë në vendin tonë.

Avokati i Popullit të Marokut, i cili gjatë karrierës së tij ka qenë edhe Prokuror i Mbretit, shprehu vlerësimin për punën e prokurorisë shqiptare duke shtuar se vlerësonte përkushtimin e Prokurores së Përgjithshme në përmbushjen e detyrës së saj.

Më tej, Avokati i Popullit të Mbretërisë së Marokut, duke bërë një pasqyrë të sistemit të drejtësisë në Marok dhe të institucionit që ai drejton, shprehu dëshirën dhe gatishmërinë e tij për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis institucioneve të drejtësisë marokene dhe asaj shqiptare.

Kryeprokurorja Ina Rama, vlerësoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis dy vendeve duke shprehur bindjen, që ato të forcohen edhe midis institucioneve të drejtësisë.

Zonja Rama bëri një prezantin të punës duke nënvizuar se Prokuroria e Republikës së Shqipërisë është një institucion i pavarur sipas Kushtetutës së vendit, dhe se gëzon një nga pavarësitë më të pastra ligjore në vendet e kontinentit.

Njëherësh kryeprokurorja Rama shtjelloi dhe prioritetet në punën e Prokurorisë së Përgjithshme duke evidentuar luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve e pastrimit të parave, të sigurimit të kufijve si dhe rolin e prokurorisë në zbatim të këtyre angazhimeve.

Në takim ishte i pranishëm edhe Avokati i Popullit në detyrë, Riza Poda.

mit/NOA
KOMENTE