English

Little things

Tek e ndiqja në një emision më të fundit të Fevziut, m’buronin estetikisht gjithë këto vlerësime. Mirëpo, tek përpiqesha të lexoja politikisht mendimet e saj, nuk shquajta dot asgjë të re, me të vërtetë të re. Vetëm një paradë drejtvizore suksesesh dhe arritjesh, asnjë reflektim, asnjë sfumaturë, qoftë edhe elegante, asnjë peng njerëzor në konfliktin natyral ndërmjet më të mirës dhe të mundshmes. E pra, asnjë shpresë për vetëkorrigjimin politik të dëshiruar

Nga Artur Zheji

1. Bukuria e ftohtë Padyshim, Jozefina është një grua me të vërtetë e bukur. Dhe vitet i mbivendosen hirshëm, pa i lënduar apo vrarë ato tipare të nurshme që dukshëm ka. Por, natyra, duke ia ledhatuar me një daltë dashamirëse skulptori, duke ia rafinuar dhe jo duke ia rrudhur tiparet e hirshme, duket se po e zbukuron edhe më. Nga ana tjetër, ndjesia e pushtetit, ndjesia e të qenit e rëndësishme, e kërkuar, e lakuar, e dëshiruar, e dëgjuar, e me një fjalë, fizionomia e një femre të pushtetshme të këtij vendi, e bën Jozefinën edhe më tërheqëse. Si grua dhe si Jozefinë Tek e ndiqja në një emision më të fundit të Fevziut, m’buronin estetikisht gjithë këto vlerësime. Mirëpo, tek përpiqesha të lexoja politikisht mendimet e saj, nuk shquajta dot asgjë të re, me të vërtetë të re. Vetëm një paradë drejtvizore suksesesh dhe arritjesh, asnjë reflektim, asnjë sfumaturë, qoftë edhe elegante, asnjë peng njerëzor në konfliktin natyral ndërmjet më të mirës dhe të mundshmes. E pra, asnjë shpresë për vetëkorrigjimin politik të dëshiruar. Nëse Jozefina mendon se kështu është e besueshme, nxitohet. Nëse mendon se të qenit e hirshme me tepri, mjafton për t’i bërë të hirshme edhe mendimet e saj politike, edhe analizat e saj antikorrupsion, edhe kopjimin e frazës së Kryeministrit: “se ne kemi një axhendë!”, e të tjerat janë dokrra, përsëri mendoj se ngutet. Duke patur një simpati për këtë Zonjë, e cila ka sjellë, kryesisht me forcën e saj, një emancipim të rëndësishëm të imazhit të gruas në politikë, analiza bëhet subjektivisht më e vështirë. Sepse Jozefina është një politikane, që me vështrimin e saj të egër, që xixëllon nga një fytyrë, ku natyra ka treguar bujari, në të vërtetë e ka nënshtruar dukshëm xhunglën maskiliste të politikës shqiptare. Dhe kjo është një arritje e madhe. Por, për të qenë një pikë referimi, magjia e natyrës dhe krenaria feministe duket se nuk mjafton. Margaret Thatcher, ishte edhe ajo një zonjë e bukur dhe e hekurt. Një Kryeministre, që shpalli disa luftëra dhe i fitoi. Reforma të thella ekonomike, luftë me zjarr e hekur, për 74 ditë kundër Argjentinës për ishujt Maldives (Falkland, beteja prodhoi 900 të vdekur dhe 2000 të plagosur) dhe rizgjoi e riorganizoi në frymën e saj të potencës së rizgjuar britanike krejt Perandorinë e vjetër të Komunuelthit britanik. E djathtë, e pasur, me vëthë të shtrenjtë diamanti, konservatore, por dhe, si thonë biografët, posaçërisht e kujdesshme dhe e suksesshme në besueshmërinë e procesit të komunikimit publik, ajo kish një delikatesë të jashtëzakonshme në marrëdhëniet me mediat. Dhe simpatia e tyre e mbrojti edhe në ditët më të këqia… E pra, vetëm vetëkënaqësia shpesh e papërmbajtshme, e sendërtuar me aspak modesti, nuk mjafton kurrsesi për të qenë i besueshëm politikisht. Shto këtu edhe “tonet shumë pikante“, që shpesh herë manifeston Jozefina e jonë, nëpër seancat parlamentare që ajo drejton dhe fizionomia politike brishtëzohet dhe bëhet e epshme “edhe mà”. Sa keq, bukuria e saj duket, kësisoj, politikisht e ftohtë. Përse? Shqipëria ka nevojë për gra politikane që kanë stof të shtrenjtë. Dhe Jozefina e ka. Sa mirë. Ndoshta duhet ndërruar disi, disi si shumë, stili dhe sintaksa e komunikimit. Më shumë parashtrime, sesa gjykime, më shumë refleksione, sesa aksioma të gatshme, më shumë ngrohtësi dhe butësi, sesa ftohtësi dhe sesa kryelartësi, kur nuk është vendi. Më shumë politikë afër njeriut dhe për njeriun: njeriun e vogël, shpesh të varfër dhe të shëmtuar, të panurshëm, të paveshur dhe sidomos të pakonsideruar; banorin anonim të turmës gri, që sheh me shpresë edhe nga Jozefina. Nga “old stile“, në “neë stile“, pra. 2. Rasti “Beqja” Beqja ka rënë në kurth. Në kurth kushtetues. Personalisht dhe ndoshta subjektivisht, mendoj se deputeti Beqja nuk përfaqson ndonjë “rrezik publik” dhe aq më shumë, një rrezik publik antikushtetues. Por, në leqet e gjuetisë së politikës, ai ka shkelur dhe laku është shkrehur, dhe laku e ka mbërthyer dhe e ka zënë brenda. Ka fituar një tender në një Bashki të madhe, një tender jo të vogël, me sa thuhet, një tender mjaft fitimprurës, nga një kryebashkiak socialist, ai, një deputet socialist. Një ekuacion i përkryer për t’u kryqëzuar, kur kryqet janë bosh dhe mëkatarët nuk ndëshkohen. Jo vetëm për mëkatet e tij, por Beqja pritet të ndëshkohet edhe për mëkatet e shumë të tjerëve, që kanë nxjerrë djallëzisht në lojërat financiare apo ekonomike emra kunetërish apo baxhanakësh. Në rregull me ligjin, mëkatarët, dhe aspak në rregull me moralin, mëkatarët. Por morali vlen dhe godet për shoqërira të moralshme(?!). Apo jo? Ligji godet, vret e pret, është pa sy, pa veshë dhe sidomos pa zemër. Beqja i gjatë është lidhur më penjtë e shkurtër të ligjit dhe mesa duket nuk ka ndonjë shpëtim. Të gjithë duan një “mëkatar” të vogël, që të bëjë alibinë e mëkateve të mëdha, të pandëshkuara dhe të pakapshme nga ligji. Beqja nuk di dhe si të mbrohet, sepse e ka konsumuar aktin pa “perservativ” (perservativ, fjalë për fjalë do të thotë mbrojtës) dhe çështja i ka ngelur shtatzanë. Ndoshta shoqëria duhet ta shpëtojë deputetin Beqja nga ky makth, por mandati i tij sot është më i vlefshëm se kurrë dhe kjo përbën, pikërisht sot, një rrezik të madh për të. Me sa duket, ai nuk është këshilluar me ustallarë profesionistë më parë dhe jeta e pritshme e “varfër” prej deputeti në opozitë, mesa duket, e kish trembur, dhe mesa duket, nga ana tjetër, e kish inkurajuar, për t’u nxituar drejt dixhitalizimit të Bashkisë së Durrësit. Në peshoren morale, nëse ekziston ndonjë e tillë ndër ne, “mëkati” kushtetues i deputetit Beqja është i lehtë ose pothuajse i tillë, por në peshoren ligjore, shkelja qëndron. Qëndron mirë brenda kornizës ligjore. Një dilemë hipokrite, juridike dhe morale, më shumë, e ditëve tona. Mirë se erdhe në klubin e politikës, zoti Beqja! Zgjedhja jote sovrane ishte - kjo pra, është “kuota juaj” e anëtarësisë. 3. Kili dhe Bulqiza Një lumturi e përbotshme, shpëtimi i 33 minatorëve, kilianë. CNN, BBC, Euroneës, e shëndërruan në një festë planetare dhe në një sukses planetar shpëtimin e tyre. Ata shpëtuan nga vdekja, janë të famshëm dhe shpejt do të jenë aristokracia e minatorëve në botë. Ndër ne ky lajm u prit si me habi dhe si me përtesë. Ky hymn për jetën dhe sondën e famshme shpëtimtare të 33 burrave nuk është se kumboi ndër ne, në Bulqizë apo diku tjetër në minierat tona primitive dhe shpesh vrastare. Shoqëria shqiptare nuk ka kohë për “urithët” e nëntokës. Skifterët dominojnë të gjithë skenën: qiellin, eterin dhe tokën. As edhe Rama, kryepësëisti, në takim t’përjavshëm me gazetarët, nuk kishte asnjë pikë n’axhendë t‘tij, me çështje sociale. Tre ditë “headline botëror“ çështja kiliane n’Shqipëri, asnjë fjalë për “urithët” shqiptarë, që jo rrallë vdesin dhe, pothuajse, asnjëherë nuk shpëtohen. Si mund të shpëtohesh, kur nuk ekziston as në mendjen e të majtëve, “protektorëve” teorikë të punës, të punonjësve, të nëntokësve në radhë të parë? Ku janë betejat politike e sindikaliste, që mbrojnë njeriun e harruar pas punës nga primitivizmi i vrazhdë dhe kriminal i kapitalizmit të pakontrolluar dhe të pamonitoruar? Sa punëtorë të pasiguruar, të palidhur, të pambrojtur, fluturojnë nga skelat e pallateve të shumta në ndërtim dhe ndërtuesit mbyllin çështjet apo blejnë gojën e mediave dhe hedhin më pas një grusht lekë të pista mbi arkivole? Bota e harruar e “skllevërve” të rinj, është tejet e vetmuar. Dhe kështu do të vazhdojë, përtej polemikave shpesh bajate dhe shterpe, derisa nuk gjejnë dot strehë, as edhe në një neuron të vetëm të mendjes politike të së majtës. Bravo Kili, e mjerë Bulqiza.

KOMENTE