English

Mediu: Të evitohen ambalazhet plastike, të përdoret më shumë qelqi dhe letra

Tiranë, 25 Tetor, NOA – “Po stimulojmë ambalazhet prej qelqi dhe letre, për të evituar sa më shumë plastikën”. Me këto fjalë e ka përshkruar situatën rreth menaxhimit të mbetjeve, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, gjatë një takimi me studentë, përfaqësues të shoqërisë civile, shoqata ambjentalistësh, si dhe grupe interesi.

Në këtë aktivitet, i cili kishte për qëllim promovimin e politikave për menaxhimin e mbetjeve, si dhe zhvillimin e riciklimit, të konsideruar një ekonomi e gjelbër dhe industri e së ardhmes, u fol për problemet që aktualisht janë shqetësuese në Shqipëri, përsa i përket fushave të lartpërmendura.

Mediu, u shpreh konkretisht se në menaxhimin e mbetjeve, duhet të jenë të gjithë faktorë, si dhe shoqëria, duhet të jetë e ndjeshme, ndaj këtij problemi.

Ndërkohë që edhe ambasadori austriak, pasi përshëndeti dhe përgëzoi iniciativat e ministrisë së Mjedisit, në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe ricklimit, si dhe përafrimit të legjislacionit në këto dy drejtime u shpreh se, tashmë ka ardhur koha që shoqëria të jetë e ndërgjegjshme për mbrojtjen e mjedisit, si dhe për efektet pozitive të riciklimit.

Për të pranishmit u shfaq edhe një film dokumentar mbi riciklimin dhe proceset e tij, tashmë të njohura për vlerat dhe ndikimin pozitiv në mjedis.

“Deri më sot praktikat ekzistuese të menaxhimit të mbetjeve i konsiderojnë ato si objekt që duhet hedhur, duke aplikuar tarifa minimale për pastrimin e tyre. Tarifat e pastrimit të mbetjeve janë shumë të ulëta dhe në qytete e mëdha janë afërsisht rreth 10 $ në vit, që në raport me vendet europiane dhe ato fqinje, është e vogël dhe nuk krijon asnjë premisë për mirë-menaxhimin e tyre”, tha gjatë fjalës së tij ministri Fatmir Mediu.

Duke përfunduar se në këtë rrugë të vështirë kërkohet më shumë mbështetje nga gjithë shoqëria shqiptare, por jo vetëm mbështetje, por dhe më shumë veprim.

n.e/NOA

KOMENTE