English

Nxënësit zbarkojnë në drejtorinë e Policisë së Durrësit

Durrës, 25 tetor, NOA - Në kuadër të ditëve “Dyer të Hapura të Policisë”, nxënës të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës, kryen vizita në mjediset e punës së drejtorisë së Policisë të tilla si laboratori kriminalistik, salla operative, zyra shërbimesh e ambjente të tjera.

Gjatë vizitës, nxënësve iu dha mundësia të komunikojnë me stafin e punonjësve të këtyre zyrave, të njihen me misionin, shërbimet e ofruara, të njohin numrat e emergjencës së Policisë, të njihen me misionin dhe strategjinë e Policimit në Komunitet, me prioritetet e punës së strukturave të Policisë Shtetit etj.

Në një takim të zhvilluar me specialistë të fushave të ndryshme si lufta kundër narkotikëve, trafiqeve të paligjshme, dhuna në familje, policimi në komunitet, Policia Rrugore, nxënësve iu shpjeguan aspekte të ndryshme si dhe iu krijua mundësia e një bashkëbisedimi të lirë me këta specialistë.

Në fund, nxënësit vizituan një ekspozitë me mjete e pajisje pune të shërbimeve të Policisë.

Interesi i treguar nga nxënësit e shkollave të mesme për informacion mbi fenomene negative të shoqërisë së sotme, përforcoi idenë e një intensiteti më të lartë të orëve të mësimit me pjesëmarrje specialistësh të hetimit të krimit të këtyre fushave apo Policisë Rrugore.

n.e/NOA

KOMENTE