Tiranë, 25 Tetor, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Hënë, 25 Tetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.
Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme ceremoninë e martesës së kryesocialistit Edi Rama me Linda Bashën, organizuar dje në mjediset e restorant “Xibraku”, me de. Ato paraqesin edhe të dhëna për procesin e djeshëm zgjedhor në Trebinjë të Pogradecit për kryetar komune. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i regjistrimit të popullatës.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Dasma e Linda dhe Edi Ramës”, i cili citon detajin sesi në ceremoninë e djeshme mungonin prindërit e dy të sapomartuarve.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Luan Omari: Vendimi për Beqjan, i pavlefshëm”, referuar kërkesës në Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja.
“Akademiku Sami Starova, medalje nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencave”, është një artikull që citon evenimentin ndaj akademikut të njohur shqiptar.
Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Fotot e dasmës/ Rama i jep fund beqarisë mes 1 mijë të ftuarve”, i cili tregon detaje nga ceremonia e djeshme martesore e kryesocialistit, duke dhënë edhe puthjen simbol.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Votimi/ Zgjedhjet në Trebinjë, PD-LSI në avantazh”.
Ndërkaq, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “70 milionë lekë, biznesmenit i vidhet shtëpia nga dadoja”.
Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e vendosjes së kasave fiskale, është edhe ai me titullin “Beteja për kasat”.
“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Hiqen tabelat greke/ Rrugët në jug, 5 kryekomunarë letër Olldashit”, i cili tregon reagimin për tabelat në gjuhë greke në jug të vendit, pas kritikave të pushtetit vendor.
“Dasma e Ramës, unazë platini dhe tortë në formën e Tiranës”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili i referohet dy detajeve sekrete të ceremonisë martesore VIP dje të Edi Ramës.
Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Letër nga Berati Kristo Frashërit: Mitropoliti Ignati është me origjinë shqiptaro-arvanitase”.
“Gjobitën shoqen, pranga 2 studentëve të infermierisë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Ndryshon formulari i regjistrimit”, i cili tregon detaje nga projekti i qeverisë për regjistrimin e popullatës, në bazë etnie dhe feje, rezervat rreth ndryshimit të detajeve të tij.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Intervista/ Ilir Beqja: Mandati im, gjyq politik i Partisë Demokratike”.
Ndërsa çështja e dasmës së kryesocialistit mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Ceremonia, Edi Rama shkëmben unazat me Linda Bashën”.
“Dënimi i flamurit shqiptar, ambasadori serb dënon aktin: Autorët, duhen ndëshkuar” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Van Der Linden: Opozita të punojë me standardet e BE”, i cili i referohet deklaratës së bërë nga diplomati i lartë holandez, lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Rama-Linda, detajet e martesës”, shoqëruar me foton e madhe në mes të saj të çiftit të ri martesor.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Kërcënime për emisionin Njerëz të Humbur, për kërkimet ndaj Bleona Matës”.
Ndërsa në rubrikën “sociale” do të lexoni “Rriten çmimet e shumë artikujve”.
n.e/NOA