Tiranë, 25 Tetor, NOA – “Duke evokuar në largësinë e njëzet viteve aktin e Ismail Kadaresë, Opozita e Bashkuar e vlerëson si një akt qytetar që mbetet në vlerat më të mira të trashëgimisë sonë intelektuale dhe politike aksidentale”.
Kështu e ka komentuar ikjen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare në fund të vitit 1990 nga Shqipëria, përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj, sipas të cilit, largimi i tij baraspeshonte historinë dhe kurorëzonte me një shembull ekselent në kryengritjen shumëvjeçare të shqiptarëve me emrin “Ikje”.
“Njëzet vjet më parë shkrimtari i shquar Ismail Kadare njoftonte nga Parisi vendimin e tij për të mos u kthyer në Shqipëri pa u vendosur demokracia, largimin dhe distancimin e tij nga regjimi i fundit komunist në Europë, opozicionin e tij të hapur më ketë regjim”, tha Zogaj duke kujtuar atë ngjarje të largët të 20 viteve më parë.
Duke shtuar më pas se “për shkak të famës botërore të Kadaresë, Ikja e Kadaresë në fund të muajit tetor 1990 u njoftua në një periudhë kritike për fatin e demokratizimit të Shqipërisë, kur regjimi i Tiranës, pas goditjeve që kishte marrë nga ngjarjet e ambasadave dhe përpjekjet për demonstrata në Shkodër, Tiranë, Kavajë e tjerë, po rrekej të hapte një të ashtuquajtur periudhë ristabilizimi, nëpërmjet disa ndryshimeve për fasadë që kishin për qëllim të siguronin vazhdimësinë e regjimit komunist dhe të privonin sërish kombin shqiptar nga takimi me Europën e vlerave të lirisë dhe demokracisë shumëpartiake”.
“Pikërisht në këtë kohë pezull të mbushur me zhgënjime, Ismail Kadare mori vendimin e tij historik, duke deklaruar botërisht distancimin e tij nga parodia dhe iluzionet e demokracisë në Shqipëri. Deklarata e tij e paharrueshme e largimit ishte jo vetëm njoftimi i një akti , por edhe dokumenti i një platforme luçide për të ardhmen demokratike të Shqipërisë se re dhe Kosovës së re. Me zërin e intelektualit të vet me të njohur kombi shqiptar i njoftoi mbarë botës aspiratat e veta për liri, demokraci, të drejta njerëzore, politike dhe kombëtare”, shtoi Zogaj.
Duke përfunduar se “historia nuk zhvillohet si një pjesë teatrale ku gjithkush mund te lexojë fundin para fillimit. Në jetë ngjarjet zbulohen duke ndodhur. Në këtë kuptim, ikja e Kadaresë në tetor të vitit 1990 ishte një akt politik dhe intelektual i guximshëm me efekte pozitive të jashtëzakonshme për kursin që morën zhvillimet demokratike të kohës.
Ne sot e kujtojmë sot ikjen e Kadaresë si një prej një prej ngjarjeve pararendëse me të veçanta dhe më të rëndësishme që paralajmëruan dhe përgatiten Lëvizjen historike të Dhjetorit 1990”.
n.e/NOA