English

Presidenti Topi pret Ombudsmanin e Marokut

Tiranë, 25 tetor, NOA – Ombudsmani apo Avokati i Popullit të Mbretërisë së Marokut, Moulay Mhamed Iraki u prit sot nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Kreu i shtetit duke i uruar mirëseardhjen zotit Iraki dhe delegacionit zyrtar në Tiranë, theksoi se vizitave të tilla të nivelit të lartë i shërbejnë zgjerimit të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve tona dhe vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të përvojës së frytshme midis institucioneve të pavarura dhe koordinimin e punës me Institucionin e Avokatin e Popullit të Shqipërisë.

Presidenti Topi, i përcolli Madhërisë së Tij, Mbretit Muhamed VI të Marokut përshëndetjet më të mira me dëshirën për të zhvilluar akoma edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Kryetari i shtetit përshkroi punën e bërë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përafrimin e legjislacionit si edhe konsolidimin e institucioneve të pavaruara si ai i Avokatit të Popullit, një institucion, që ka bërë deri më tani një punë të dobishme.

Presidenti në këtë takim shprehu njëkohësisht edhe mbështetjen e vazhdueshme personale dhe institucionale ndaj Institucionit të Avokatit të Popullit.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit i Mbretërisë së Marokut, Moulay Mhamed Iraki vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të frytshëm me Institucionin e Avokatit të Popullit shqiptar edhe në kuadër të nismave rajonale midis vendeve, që lagen nga Deti Mesdhe.

mit/NOA
KOMENTE