English

Pronarja e banesës dhe emigranti shqiptar vdesin pasi i zë poshtë një mur

Edessa, Greqi, 26 Tetor 2010 NOA – Një emigrant shqiptar ka gjetur vdekjen dhe një i dytë po lufton me vdekjen në spital, pas rënies së një muri në një ndërtesë në punime e sipër në qytetin e Edessas, të rajonit Selanik në Greqi, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Konfirmohet se veç 41 vjeçarit shqiptar ka gjetur vdekjen edhe pronarja e shtëpisë, një 66 vjeçare, kurse shqiptari tjetër 29 vjeç, ndodhet në gjendje koma në spitalin e Selanikut.

Gjithçka ndodhi pasditen e së hënës në lagjen “Varosi” të qytetit Edessa.

Dy shqiptarë ishin thirrur nga 66 vjeçarja për të kryer punime në banesën e saj, një ndërtesë e vjetër, e amortizuar dhe me probleme të shumta në muret, çatinë dhe pjesët e tjera.

Ndërsa ishin duke punuar për riparime në shtëpi, befas një mur është shembur dhe i ka zënë poshtë dy punëtorët dhe po ashtu pronaren 66 vjeçare të banesës dhe 41 vjeçarin grek që po ashtu banonte atje.

Sikundër shihni në fotot, shembja ishte fatale duke krijuar pasojat tragjike.

Në spitalin lokal, që të katërt u dërguan për ndihmë mjekësore pasi në vendngjarje vrapuan fqinjët që me shpejtësi arritën ti nxjerrin nga rrënojat.

Vasilis Davoras, drejtor i spitalit të Edessas, tha se 41 vjeçari shqiptar ishte i vdekur, kurse 66 vjeçarja në koma. Ajo u transportua për në spitalin “Papanikolau” të Selanikut, por rrugës ndërroi jetë.

Sakaq dy persona të tjerë u dërguan në spitalin e Edessas. Njëri prej tyre, shqiptar 29 vjeç, në gjendje kritike për jetën, u dërgua në spitalin “Papanikolau” të Selanikut për mjekim më të specializuar.

Ndërkohë, drejtori i spitalit “Papanikolau” të Selanikut, Vasilis Kalpadhakis, deklaroi se gjendja e 29 vjeçarit është serioze pasi ai gjendet në koma si pasojë e plagëve të rënda që ka marrë në kokë dhe në trup.

Kurse 41 vjeçari helen gjithashtu i plagosur, ndodhet në gjendje më pak të rëndë shëndetësore.

n.s/NOA

KOMENTE